Rama sqaron ngecjen në negociatat për Sazanin: “Kostoja është problemi kryesor”, detaje nga biseda me Jared Kushner
Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje lidhur me negociatat për zhvillimin e ishullit të Sazanit, duke theksuar se sfidat kryesore kanë të bëjnë me furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
Rama sqaroi se çështja e ujësjellësit dhe e linjës elektrike për në ishull paraqet një nga pikat më të vështira të negociatave. Ai theksoi se Shqipëria nuk mund të financojë nga buxheti i shtetit investime të tilla. “Kjo e ujit dhe dritave është thembra e Akilit të negociatave, sepse që në fillim pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë: ne nuk mund të investojmë për ujësjellësin dhe për linjën elektrike të Sazanit, për ta çuar nga bregu i detit deri në ishull. Askush nuk do ta kuptonte se si, në një vend ku ende ka fshatra apo territore të banuara periferike që kërkojnë investime për ujësjellës dhe furnizime me energji elektrike, të investohet me paratë e shtetit për këtë,” tha Rama në podkatin “Flasim shqip”.
Kryeministri nënvizoi se qeveria shqiptare nuk ka bërë lëshime në këtë pikë, ndërsa pala tjetër e ka problem për shkak të kostos. “Kjo është një pikë negociate që ne nuk e kemi lëshuar dhe ata e kanë problem sepse kushton. Ata nuk po blejnë ishullin dhe nuk po marrin pronësinë mbi ishullin, pasi Republika e Shqipërisë është partnerë,” shtoi ai.
Rama foli gjithashtu për komunikimin e tij me Jared Kushner në fillim të këtij procesi, duke theksuar se marrëdhënia mes palëve është bazuar në ligj dhe rregulla. “Ka një gjë tjetër që dua ta theksoj. Kushner, në momentin kur nisi ky proces, më tha: ‘Çdo gjë sipas librit, sipas ligjit, sipas rregullave’. Kështu që, në këtë pikë, unë jam shumë i qartë: kushdo të jesh, unë jam kryeministri i Shqiptarëve. Pranoj të më shikosh në sy, por nga lart poshtë nuk më sheh dot. Amerika mund të jetë shumë e madhe, por kur vjen puna për çfarë përfaqësojmë, ti ke vendin tënd, unë kam vendin tim,” u shpreh Rama.
