Shqiptarë bllokohen në Mal të Zi, akuzohet shteti shqiptar

VIDEO/ Autokolona me flamuj shqiptarë bllokohet në Mal të Zi, qytetarët fajësojnë shtetin shqiptar: Do të vijmë edhe nga malet për protestën

Më 12 shtator, në Tiranë është thirrur një protestë mbarëkombëtare, e cila përkon me ditën e 105-të të tubimeve kundër qeverisë dhe klasës politike në vend, në kuadër të asaj që quhet ‘Revolucioni Flamingo’.

Disa nga aktivistët kanë denoncuar një situatë të paprecedentë në Mal të Zi, në kufi me Bosnje-Hercegovinën, ku një autokolonë shqiptarësh që ktheheshin nga diaspora në atdhe është bllokuar.

Qytetarët shqiptarë pretendojnë se u është kërkuar heqja e simboleve shqiptare dhe flamurit kuqezi, teksa në pamje duken qartë edhe forcat speciale.

Fatjon Muçaj, në një prononcim për News24, tha se prej rreth katër orësh ndodhet i bllokuar në zonën e Nikshiqit, pa marrë një shpjegim për arsyen e ndalimit. Muçaj deklaroi se rreth 30 automjete me shqiptarë janë ndaluar në Mal të Zi, ndërsa pretendon se autoritetet nuk u kanë dhënë informacion lidhur me arsyet e bllokimit.

„Jemi bllokuar këtu rreth 30 makina në Mal të Zi, në Nikshiq, prej 4 orësh. Nuk na është dhënë asnjë informacion se pse jemi bllokuar”, deklaroi ai.

Sipas Muçajt, një pjesë e autokolonës ka zgjedhur pika të tjera kufitare për të shmangur bllokimet.

„Janë disa makina që janë ndaluar. Nuk e di, se jemi shumë. Ndaj disa prej nesh kemi zgjedhur pika kufitare të ndryshme, që mos të bllokohemi”, u shpreh ai.

Ai tha se, pavarësisht situatës në kufi, synon të vijojë udhëtimin drejt Shqipërisë dhe t’i bashkohet protestës së paralajmëruar për nesër në Tiranë.

„Me asnjë formë nuk do të na ndalojë Edi Rama që do të hyjmë në vendin tonë. Do të vazhdojmë, do të ndjekim rrugë ilegale. Do të hyjmë dhe vijmë maleve. Ne kemi ikur me gomone e kamionë drejt Anglisë, jo më në Shqipëri!”, tha ai.

Ndërkohë, kryetari i partisë ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, ka shkuar më tej duke thënë se urdhëri për ndalimin e shqiptarëve në kufirin Bosnjë-Mal të Zi është dhënë nga shteti shqiptar.

„Qindra forca speciale të Malit të Zi, në kufi me Bosnjën, kanë ngritur pritë ndaj autokolonës së mërgimtarëve tanë. „Na ka njoftuar shteti shqiptar se po shkoni për të destabilizuar. Nuk do t’ju lejojmë të kaloni”, u është thënë atyre. Edi Rama paska thirrur „vëllezërit malazezë” për të ndalur djemtë e Shqipërisë! E pabesë’’, shkruan Lapaj.

Scroll to Top