“`html
Rama paralajmëron ndryshime në rregullat e koncesioneve dhe PPP-ve: Të gjitha veprimet do të kryhen elektronikisht
Qeveria ka miratuar një rregullore të re për kontratat koncesionare dhe partneritetet publike-private (PPP), duke e kthyer të gjithë procesin në format elektronik. Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave detyron që shkarkimi i dokumenteve të tenderit, pyetjet dhe përgjigjet me biznesin, si dhe dorëzimi i ofertave financiare, të bëhen vetëm online në platformën e Agjencisë së Prokurimit Publik (APP).
Ky vendim zbatohet për fazën e regjistrimit, ndërsa pas nënshkrimit të kontratave, procedurat do të vazhdojnë në mënyrë shkresore. Vendimi garanton që asnjë zarf nuk do të hapet para kohe dhe çdo komunikim do të ruhet në ditarin elektronik të sistemit. Gjithashtu, hapet rruga për krijimin e një baze unike shtetërore të të dhënave mbi kontratat koncesionare dhe PPP-të, e cila do të menaxhohet nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve.
Për herë të parë, ky sistem i ri do të bëjë publike 100% të gjitha pagesat, tarifat dhe ecurinë e kontratës në kohë reale. Qytetarët dhe institucionet do të mund të shohin online shumën e parave që dalin nga buxheti i shtetit për çdo PPP çdo muaj.
Vendimi i qeverisë: PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR KOMUNIKIMIN ME MJETE ELEKTRONIKE NË PROCEDURAT KONKURRUESE TË KONCESIONIT/PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, Këshilli i Ministrave ka vendosur:
- Publikimi i dokumenteve dhe dorëzimi i ofertave në procedurat konkurruese të koncesionit do të zhvillohen me mjete elektronike.
- Përjashtim bëhet në procedurat konkurruese me faza, ku komunikimet dhe shkëmbimi i informacionit pas dorëzimit të ofertave do të jenë shkresore.
- Për procedurat e PPP-ve, zbatohen rregullat e legjislacionit në fuqi për prokurimin publik.
- Vendimi nr.130, datë 12.3.2014, shfuqizohet.
- Të gjitha autoritetet dhe entet kontraktore ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit nr.88/2025.
KRYEMINISTRI: EDI RAMA
Nga ana tjetër, qeveria ka ashpërsuar rregullat e aplikimit për bizneset që kërkojnë të lidhin kontratë koncesionare me shtetin. Nëse më parë sistemi elektronik përdorej thjesht për të dorëzuar dokumente online, tani gabimet ose parregullsitë në këtë sistem mund të çojnë në anulimin total të koncesionit dhe humbjen e kontratës. Nëse provohet manipulim i sistemit, fshehje dokumentesh online ose favorizim i një kompanie, kontrata shpallet absolutisht e pavlefshme.
Sipas rregullave të reja, forcohet detyrimi që sigurimi i kontratës të arrijë deri në 5% të vlerës totale të projektit, e cila duhet të depozitohet dhe konfirmohet elektronikisht. Çdo kontratë e lidhur duhet të regjistrohet brenda 15 ditëve në Regjistrin Elektronik të Koncesioneve pranë ATRAKO. Nëse kontrata ose ndryshimet e saj nuk publikohen online (përfshirë çdo pagesë nga buxheti i shtetit), kjo përbën bazë ligjore për kërkimin e pavlefshmërisë së saj.
Vendimi i plotë: PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR PAVLEFSHMËRINË E KONTRATAVE TË KONCESIONEVE DHE PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit nr.88/2025, Këshilli i Ministrave ka vendosur:
- Komisioni i Prokurimit Publik është organi kompetent për shqyrtimin e ankesave për pavlefshmërinë e kontratave koncesionare dhe PPP.
- Operatorët ekonomikë kanë të drejtë të paraqesin ankesë brenda 6 muajve nga lidhja e kontratës.
- Komisioni mund të pezullojë menjëherë zbatimin e kontratës, përveç rasteve kur pezullimi cenon interesin e përgjithshëm.
- Një kontratë mund të shpallet absolutisht e pavlefshme nëse konstatohen kushtet e përcaktuara në ligj.
- Nëse pavlefshmëria absolute mund të cenojë interesin e përgjithshëm (përveç interesave ekonomike të lidhura drejtpërdrejt me kontratën), Komisioni mund të vendosë mosshpalljen e saj absolutisht të pavlefshme.
- Në rast të mosshpalljes së pavlefshmërisë, Komisioni mund të vendosë shkurtimin e afatit të kontratës ose gjobitjen e autoritetit kontraktor.
- Gjoba vendoset në raport me vlerën e kontratës, por jo më shumë se 10% të saj.
- Në vendosjen e masës së gjobës, Komisioni merr parasysh rrethanat, rëndësinë, pasojat e shkeljes, vlerën e kontratës dhe parimet e koncesionit/PPP.
- Komisioni përcakton afatin për zbatimin e vendimit.
- Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin e Komisionit në gjykatën përkatëse.
- Komisioni i Prokurimit Publik ngarkohet për zbatimin e këtij vendimi, i cili botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit nr.88/2025.
“`
