“Duhet të mbrojmë çdo metër katror”: Von der Leyen propozon Këshill të ri me Kanadanë dhe Britaninë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar një strategji të re evropiane të sigurisë dhe krijimin e një Këshilli Evropian të Sigurisë, gjatë fjalimit të saj vjetor për Gjendjen e Unionit.
Sipas saj, Bashkimi Evropian do ta hartojë strategjinë e re në bashkëpunim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë. Synimi është që institucionet dhe proceset vendimmarrëse evropiane të përshtaten me realitetin e ri të kërcënimeve ndaj sigurisë.
Von der Leyen theksoi se Evropa po përballet me një shtim të sulmeve kibernetike, sabotimeve, zjarrvënieve dhe shkeljeve të hapësirës ajrore nga dronët, duke theksuar nevojën për rritjen e gatishmërisë së vendeve anëtare.
Ajo njoftoi gjithashtu se Komisioni Evropian do të paraqesë propozime për krijimin e Këshillit Evropian të Sigurisë. Në këtë strukturë parashikohet të përfshihen edhe partnerë si Kanadaja, Norvegjia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar, me synimin për të koordinuar reagimin ndaj kërcënimeve në rritje.
Duke iu drejtuar kryeministrit kanadez, von der Leyen deklaroi se BE-ja dëshiron t’i çojë marrëdhëniet me Kanadanë në nivelin më të lartë të mundshëm. Ajo shtoi se synohet krijimi i kushteve që Kanadaja të bëhet vendi i parë me status të asociuar me BE-në dhe që të dyja palët të ndërtojnë një hapësirë të përbashkët prosperiteti dhe sigurie ekonomike.
Një tjetër propozim i von der Leyen ishte krijimi i një mekanizmi evropian për reagimin ndaj kërcënimeve hibride, të ngjashëm me Nenin 4 të Traktatit të NATO-s. Ajo e cilësoi atë si një “Nen 4 evropian” ose “Protokoll të Sigurisë Emergjente”. Sipas propozimit, në rast se një shtet anëtar aktivizon mekanizmin, vendet e BE-së do të mblidhen për të koordinuar një përgjigje të përbashkët. Qëllimi do të jetë parandalimi i përshkallëzimit të situatës dhe kufizimi i pasojave të një sulmi.
Në fushën e mbrojtjes, presidentja e Komisionit njoftoi edhe krijimin e një Instrumenti Evropian për Kapacitetet Strategjike, i cili, sipas saj, do të jetë plotësisht i harmonizuar me NATO-n. Instrumenti synon forcimin e kapaciteteve strategjike evropiane në fusha të tilla si:
- Mbrojtja ajrore dhe kundër raketave
- Transporti strategjik
- Furnizimi i avionëve në ajër
- Hapësira
- Mbrojtja kibernetike
“Evropa do të mbrojë çdo metër katror të territorit të saj”, deklaroi Ursula von der Leyen.
