Rezerva e sigurisë së naftës do të administrohet nga operator shtetëror, miratohet projektligji
Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin për mbajtjen e rezervës së sigurisë për karburantet. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Enea Karakaçi, shpjegoi se rezerva e hidrokarbureve do të mundësohet nga një operator shtetëror dhe do të shërbejë në kushtet e mungesës së produktit në treg.
“Nëpërmjet projektligjit bëjmë ndryshim të qasjes aktuale ligjore, ku rezerva e sigurisë mbahet nga operatorët privatë. Me anë të projektligjit propozojmë që rezerva të mbahet nga një autoritet shtetëror. Mbajtja e rezervës së hidrokarbureve është kur në treg ka pasiguri për produktin, apo kur produktet në treg mungojnë. Ky ligj i ri krijon detyrimin e ruajtjes së rezervës, duke e menaxhuar dhe e hedhur herë pas here në treg për të mos humbur cilësitë ekonomike. Ligji është në përafrim me direktivën e BE-së”, pohoi Karakaçi.
Qeveria prej disa vitesh ka tentuar të miratojë një ligj për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Rezerva e sigurisë, sipas standardeve, përllogaritet në 90 ditë importe ose 61 ditë konsum, në varësi se cila shifër është më e lartë, dhe aktivizohet në situata të jashtëzakonshme, si mungesa e produktit ose kriza të natyrës gjeopolitike.
Drafti i parë, i propozuar në shkurt 2019, parashikonte një formulë bashkëmenaxhimi mes shtetit dhe sektorit privat, ndryshe nga modeli aktual, ku rezervat mbahen tërësisht nga kompanitë private dhe rafineritë. Sipas këtij modeli, 60 ditë të konsumit mesatar do të mbaheshin nga një ent publik, ndërsa 30 ditët e tjera do t’u përkisnin kompanive private.
Nga viti 2019, projekti ka kaluar herë pas here në diskutime brenda qeverisë, por vetëm në tetor 2025 u nxor për konsultim publik. Drafti i 2025-s në thelb ruante strukturën e mëparshme: një autoritet publik jofitimprurës, i quajtur Autoriteti për Rezervën e Sigurisë, në varësi të MIE, dhe përcakton sërish një tarifë për krijimin dhe mbajtjen e rezervës.
