Historia e ndarjes territoriale që nga pavarësia
Ndarjet territoriale në Shqipëri kanë pësuar ndryshime të shpeshta, duke u përshtatur me mënyrën se si shteti ka kërkuar të ushtrojë kontrollin dhe të organizojë shërbimet.
Pas shpalljes së Pavarësisë, organizimi territorial u bazua fillimisht në strukturën e trashëguar nga Perandoria Osmane. Qeveria e Vlorës e ndau vendin në prefektura, nënprefektura dhe krahina. Statuti Organik i vitit 1914 parashikoi sanxhaqe, kaza, nahije dhe bashki, me këshilla në nivele të ndryshme.
Gjatë viteve të para të shtetit shqiptar, ndarja territoriale ndryshoi disa herë. Në periudhën e Mbretërisë u konsolidua modeli me prefektura dhe nënprefektura, ndërsa bashkitë vepronin kryesisht në qendrat urbane.
Pas vitit 1945 u vendos një sistem i centralizuar. Territori u organizua në rrethe, qytete dhe fshatra të bashkuara, ndërsa këshillat popullorë funksiononin më shumë si struktura zbatuese të pushtetit qendror sesa si organe të vetëqeverisjes. Ligji i vitit 1967 e përkufizonte këshillin popullor si organ të pushtetit shtetëror në territor, por ai nuk gëzonte autonominë politike dhe financiare që shoqëron sot vetëqeverisjen vendore.
Pas vitit 1990, Shqipëria filloi kalimin nga administrimi i centralizuar drejt vetëqeverisjes vendore. Në vitin 1992 u krijuan 36 rrethe, 44 bashki dhe 313 komuna.
Reforma e vitit 2000 solli një strukturë të re me 65 bashki, 308 komuna dhe 12 qarqe, duke arritur gjithsej 373 njësi të nivelit të parë. Ky sistem, megjithëse afronte pushtetin me komunitetet, prodhoi një fragmentim të konsiderueshëm. Shumë komuna rezultuan me popullsi dhe të ardhura të pamjaftueshme, administrata të vogla, mungesë specialistësh dhe një varësi pothuajse të plotë nga transfertat e qeverisë qendrore. Një pjesë e tyre shpenzonin shumicën e buxhetit për paga dhe administratë, duke lënë shumë pak për investime ose shërbime.
Reforma e miratuar në vitin 2014 dhe e zbatuar pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015 ndryshoi rrënjësisht sistemin. Numri i njësive bazë u ul nga 373 në 61 bashki, ndërsa 12 qarqet u ruajtën. Ish-bashkitë dhe komunat u transformuan në njësi administrative pa kryetar të zgjedhur, pa këshill, pa buxhet dhe pa personalitet juridik. Qëllimi kryesor ishte krijimi i ekonomive të shkallës, ulja e kostove administrative, profesionalizimi i administratës dhe ofrimi i shërbimeve në territore më të mëdha.
Megjithatë, reforma ndryshoi hartën administrative shumë më shpejt sesa mënyrën e financimit, shpërndarjen e kompetencave dhe organizimin e shërbimeve. Pjesa më e madhe e shërbimeve pësuan një përkeqësim të ndjeshëm në zonat rurale, pasi bashkitë vazhduan, për inerci, të administronin kryesisht brenda kufijve të qyteteve.
