Moska paralajmëron hakmarrje: Përgatitje për përshkallëzimin e sulmeve ndaj Kievit, do të intensifikojmë bombardimet
Rusia ka paralajmëruar se do të intensifikojë sulmet ndaj Kievit, si përgjigje ndaj sulmeve me dronë të kryera nga Ukraina gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare ruse.
Sipas një deklarate të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, forcat e armatosura do të vijojnë sulmet me armë me precizion të lartë ndaj objektivave ushtarake në Kiev.
“Në përgjigje të sulmeve të regjimit të Kievit ndaj objektivave politikë në territorin rus, forcat e armatosura ruse do të vazhdojnë dhe do të intensifikojnë bombardimet e tyre duke përdorur armë me precizion të lartë kundër objektivave ushtarake në Kiev”, thuhet në deklaratë.
Moska akuzoi gjithashtu Ukrainën se po përpiqet të “pengojë shprehjen demokratike të vullnetit të popullit rus”, duke iu referuar sulmeve me dronë të raportuara gjatë procesit zgjedhor.
Ky paralajmërim nga Moska vjen në një moment të tensionuar të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa të dyja palët kanë vijuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj objektivave në territorin e njëra-tjetrës.
