Rumani ndalon ish-kandidatin presidencial Călin Georgescu, i akuzuar për mashtrim mbi 1.1 milionë euro dhe grup kriminal.
Călin Georgescu është ndaluar në Rumani. Prokurorët po hetojnë ish-kandidatin presidencial rumun për mashtrim. Georgescu, një politikan pro-rus i cili u bë i njohur gjatë zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë në vitin 2024, u ndalua nga policia dhe Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit (DIICOT) të hënën.
Ai u mor në pyetje nën dyshimet për mashtrim dhe formimin e një grupi të organizuar kriminal. Prokurorët akuzuan Georgescun dhe dy persona të tjerë për mashtrimin e një biznesmeni rumun. Ata e bindën biznesmenin të besonte se mund të merrte akses në financim nga banka të huaja me vlerë deri në 15 milionë euro, në këmbim të parave të gatshme.
“Në këto rrethana, autorët e krimit e bindën viktimën të transferonte mbi 1,000,000 euro”, thuhet në një njoftim për shtyp të DIICOT. Më vonë, ata “e bindën viktimën të transferonte një shumë tjetër prej 100,000 eurosh”.
Grupi i paraqiti vetën si “biznesmenë të begatë dhe drejtues të kompanive të huaja që dyshohet se kishin shuma të mëdha parash në dispozicion për t’u dhënë hua viktimave – të cilët synonin të zgjeronin bizneset e tyre në Rumani – me kusht që të paraqisnin garanci financiare”, shtoi njoftimi.
Disa nga mbështetësit e Georgescu-t u mblodhën jashtë selisë së DIICOT ndërsa ai u mor në pyetje, duke mbajtur flamuj dhe ikona fetare dhe duke brohoritur “liri për Călin”.
Georgescu po përballet tashmë me dy raste të tjera, njëra që përfshin akuza se ai veproi kundër rendit kushtetues të Rumanisë dhe një tjetër ku akuzohet për promovimin e ideologjisë fashiste.
Călin Georgescu u bë i famshëm në vitin 2024, pasi fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë. Gjykata Kushtetuese e Rumanisë më vonë i anuloi zgjedhjet, duke përmendur akuza për ndërhyrje zgjedhore. Duke folur për BBC-në përpara raundit të dytë në dhjetor të atij viti, politikani nacionalist tha se do t’i jepte fund çdo mbështetjeje për Ukrainën nëse zgjidhej, duke mohuar gjithashtu se ndikimi rus e kishte ndihmuar fushatën e tij.
