Mbrojtja e konsumatorëve nga shpenzimet roaming

Mbrojtja nga shpenzimet në roaming: Kontratat duhet të përcaktojnë një limit financiar prej 6000 lekësh

Operatorët celularë duhet të vendosin një limit financiar për shpenzimet në roaming brenda kontratave mujore të pajtimit, si një masë për mbrojtjen e konsumatorëve.

Projekt-rregullorja për “Mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”, e përgatitur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), përcakton se informacioni mbi tarifat roaming duhet të përfshijë sqarime për pajtimtarin rreth masave për kontrollin e shpenzimeve. Këto masa mund të jenë në formën e një limiti financiar ose sasior, si dhe për mekanizmin e ndërprerjes në rast arritjeje të limitit të paracaktuar ose të zgjedhur nga pajtimtari.

Në kushtet e përgjithshme të kontratës tip, duhet të përfshihet një limit financiar automatik për roaming prej 5000 lekë pa TVSH, ose 6000 lekë me TVSH. Megjithatë, pajtimtari do të ketë të drejtën të zgjedhë një limit financiar tjetër, nëse e kërkon një vlerë të ndryshme nga ajo e parashikuar në kontratën tip.

Projekt-rregullorja e re sanksionon edhe njëherë detyrimet e operatorëve për t’u dërguar përdoruesve të shërbimeve celulare SMS informuese kur arrihet niveli 80% i konsumit të njësive të të dhënave (data) të përfshira në paketën mujore, si dhe kur arrihet niveli 100% i konsumit të njësive të përfshira në paketë dhe pajtimtari fillon të tarifohet me çmime standarde për njësi konsumi.

Një dispozitë e re në rregulloren e re përcakton se, në çdo rast, kur pajtimtari arrin 100% të konsumit të shërbimeve të përfshira në paketë, para se të fillojë të tarifohet me çmime standarde, operatori duhet t’i dërgojë një SMS informuese. Ky SMS duhet të përmbajë çmimet për njësi të shërbimeve kryesore (si thirrje telefonike kombëtare, SMS kombëtare dhe akses në internet), të shprehura në lekë (me TVSH) për njësi shërbimi (minutë, SMS dhe MB). Ky njoftim duhet të shoqërohet me një link në faqen e internetit të operatorit ku është e publikuar lista e plotë e çmimeve për njësi konsumi.

Për shërbimin e aksesit në internet, të përdorur brenda vendit ose në roaming, operatori ka gjithashtu detyrimin që, kur arrin limiti 100% i përdorimit të paketës, të kërkojë konfirmimin e pajtimtarit për vijimin e përdorimit të këtij shërbimi me tarifa standarde (Lek/MB) dhe të vijojë ofrimin e shërbimit vetëm pas marrjes së pëlqimit të shprehur të pajtimtarit.

Projekt-rregullorja e re parashikon gjithashtu që në kushtet e përgjithshme të kontratës të përfshihet informacion mbi mënyrën e pagesës së shërbimeve, kufizimet apo penalitetet e aplikuara në rast vonese pagese, si dhe dërgimin e njoftimeve paralajmëruese nga operatori në afate të arsyeshme dhe me mjet të qëndrueshëm, para aplikimit të kufizimeve ose penaliteteve.

Sipas projekt-rregullores, masat specifike të ofruesve të shërbimeve për mospagesën e faturave duhet të jenë proporcionale, jodiskriminuese dhe të publikuara në faqen e internetit të operatorit. Këto masa duhet të përcaktojnë qartë dhe me detaje në kushtet e kontratës rastet kur bëhet kufizimi, ndërprerja e shërbimit apo ndërprerja e kontratës, dhe duhet të garantojnë që përdoruesi fundor të njoftohet në kohë dhe mënyrë të duhur përpara aplikimit të tyre.

Scroll to Top