Manifaktura Shqiptare kërkon përfshirje të drejtpërdrejtë të industrisë në negociatat me BE-në
Shoqata “Manifaktura Shqiptare” i është drejtuar zyrtarisht Ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Sofia Moreira de Sousa, duke kërkuar përfshirjen e drejtpërdrejtë, të strukturuar dhe të vazhdueshme të industrisë prodhuese në procesin e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Sipas Shoqatës, Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare, ku rezultatet e negociatave do të varen gjithnjë e më shumë nga zbatimi konkret i reformave dhe përmbushja e kritereve të përcaktuara. Përafrimi me legjislacionin evropian nuk është vetëm një proces juridik dhe institucional, pasi ai do të ndikojë drejtpërdrejt mbi ndërmarrjet, investimet, kostot e prodhimit, standardet teknike, marrëdhëniet e punës, energjinë, mjedisin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Edhe pse negociatat zhvillohen ndërmjet institucioneve shqiptare dhe Bashkimit Evropian, një pjesë e konsiderueshme e detyrimeve do të zbatohet në praktikë nga bizneset. Për këtë arsye, industria duhet të konsultohet që në fazat e para të vendimmarrjes dhe jo vetëm pasi masat dhe standardet e reja të jenë miratuar.
Shoqata vlerëson se dialogu me industrinë prodhuese për detyrimet konkrete të integrimit, kostot e zbatimit dhe nivelin e gatishmërisë së ndërmarrjeve vazhdon të jetë i kufizuar dhe jo mjaftueshëm i strukturuar. Mungesa e konsultimit të hershëm rrezikon që standardet e reja të miratohen pa një vlerësim të plotë të pasojave ekonomike, financiare dhe sociale, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it për vitin 2024, industria përpunuese përfshinte 7,187 ndërmarrje dhe rreth 95,300 të punësuar, duke përfaqësuar 17.4% të punësimit në ndërmarrjet e tregut. Në shumë qytete të vendit, kjo industri mbetet një nga burimet kryesore të punësimit formal, veçanërisht për gratë dhe vajzat, si dhe një faktor i rëndësishëm për zhvillimin rajonal dhe qëndrueshmërinë e komuniteteve.
Procesi i integrimit prek drejtpërdrejt fusha të tilla si lëvizja e lirë e mallrave, politika industriale, punësimi, konkurrenca, doganat, energjia, mjedisi, transformimi digjital dhe instrumentet financiare për zhvillimin rajonal. Përshtatja me standardet e Tregut të Përbashkët Evropian do të kërkojë investime të konsiderueshme në certifikimin dhe gjurmueshmërinë e produkteve, sigurinë dhe cilësinë, eficiencën energjetike, dekarbonizimin, ekonominë qarkulluese, trajtimin e mbetjeve, automatizimin, digjitalizimin dhe aftësimin profesional.
Pa një hartë të qartë të detyrimeve, afateve të zbatimit dhe burimeve të financimit, një pjesë e bizneseve prodhuese mund të mos jetë në gjendje ta përballojë këtë tranzicion. Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të vështirësive që sektori ka përjetuar gjatë viteve të fundit: zhvlerësimit të euros, rritjes së kostove, mungesës së fuqisë punëtore, aksesit të kufizuar në financim dhe nevojës së menjëhershme për investime në teknologji.
Shoqata thekson se përgjigjja nuk mund të kufizohet vetëm në masa të përkohshme fiskale apo financiare. Shqipëria ka nevojë për një politikë industriale afatgjatë, të lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimit evropian dhe me objektivin për ta bërë vendin një partner prodhues të afërt, të besueshëm dhe konkurrues brenda zinxhirëve evropianë të furnizimit.
Në shkresën drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian, Shoqata “Manifaktura Shqiptare” kërkon:
- Krijimin e një mekanizmi të rregullt konsultimi ndërmjet institucioneve shqiptare, Delegacionit të BE-së dhe organizatave përfaqësuese të industrisë.
- Përfshirjen e përfaqësuesve të industrisë në vlerësimet e ndikimit rregullator dhe financiar, në përcaktimin e afateve dhe në identifikimin e nevojave për masa tranzitore.
- Vlerësimin e nivelit të gatishmërisë së industrisë shqiptare për standardet e Tregut të Përbashkët Evropian dhe hartimin e një plani veprimi sipas sektorëve.
- Krijimin e mundësive për asistencë teknike dhe akses më të mirë në fondet e BE-së për automatizimin, eficiencën energjetike, dekarbonizimin, certifikimin, inovacionin dhe aftësimin profesional.
- Organizimin e një tryeze të përbashkët me institucionet shqiptare, bizneset prodhuese dhe ekspertët e BE-së për rolin e manifakturës në procesin e integrimit.
Shoqata ka kërkuar gjithashtu një takim institucional me Ambasadoren Moreira de Sousa dhe përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Evropian, për të paraqitur më hollësisht propozimet e saj dhe për të diskutuar format konkrete të bashkëpunimit.
“Industria shqiptare duhet të përgatitet gjatë procesit të negociatave dhe jo vetëm pas anëtarësimit. Integrimi evropian duhet të shërbejë për modernizimin dhe forcimin e prodhimit vendas, jo ta gjejë atë të papërgatitur për kostot dhe detyrimet e reja”, është qëndrimi i Shoqatës “Manifaktura Shqiptare”.
Ruajtja dhe transformimi i bazës prodhuese nuk përbëjnë vetëm një interes sektorial. Ato lidhen drejtpërdrejt me punësimin, zhvillimin rajonal, konvergjencën ekonomike me Bashkimin Evropian dhe aftësinë e Shqipërisë për të konkurruar denjësisht në Tregun e Përbashkët.
