Kursimtare apo me më pak të ardhura? Familjet me kryefamiljare gra shpenzojnë 20 mijë lekë më pak
Familjet me kryefamiljare gra shpenzojnë mesatarisht rreth 20 mijë lekë më pak në muaj në krahasim me ato me kryefamiljar burrë, duke theksuar një diferencë të dukshme në konsumin familjar.
Sipas INSTAT, në vitin 2024, shpenzimet mesatare mujore për konsum ishin 93,042 lekë për familje. Konkretisht, në familjet me kryefamiljar burrë, shpenzimet arrinin në 96,359 lekë, ndërsa në familjet me kryefamiljare grua ishin 76,235 lekë. Kjo krijon një diferencë prej 20,124 lekësh në muaj, ose rreth 21%. Nëse kjo diferencë mujore projektohet për 12 muaj, ajo arrin në rreth 241 mijë lekë.
Megjithatë, ky hendek në konsum ndodh në një kontekst ku gratë priren të kenë një pozicion më të dobët në disa tregues të tregut të punës. Në vitin 2025, shkalla e punësimit për gratë në moshën 15-64 vjeç ishte 62.7%, krahasuar me 76% për burrat. Gjithashtu, shkalla e papunësisë ishte 10.6% për gratë dhe 8.2% për burrat.
Edhe mënyra e punësimit kontribuon në këtë diferencë: 25% e grave të punësuara rezultonin punëtore pa pagesë në biznesin e familjes, ndërsa paga mesatare mujore bruto për gratë ishte 4.6% më e ulët se ajo e burrave.
Diferenca vihet re edhe në treguesit e vulnerabilitetit ekonomik. Në vitin 2024, rreziku për të qenë i varfër ishte 19.5% për gratë dhe 18.9% për burrat. Ndërsa rreziku për varfëri ose përjashtim social (AROPE) arriti në 41.5% për gratë, kundrejt 39.4% për burrat.
Një faktor tjetër lidhet me barrën e punës së papaguar. Gratë vazhdojnë të mbartin një pjesë më të madhe të kujdesit për fëmijët, të moshuarit dhe punëve të shtëpisë. Ky angazhim, megjithëse nuk reflektohet në pagë, ndikon në mundësinë e tyre për të punuar me kohë të plotë dhe për të siguruar të ardhura më të larta. Ky aspekt është veçanërisht thelbësor për familjet ku gruaja është burimi kryesor ose i vetëm i të ardhurave.
Burimi: D.Hyka
