“`html
Banka Botërore: Vonesa në planet e biznesit dhe raportimin për mashtrim dhe korrupsion në sektorin e ujësjellësit
Banka Botërore e vlerëson si “mesatarisht të kënaqshëm” zbatimin e programit për modernizimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri. Megjithatë, raporti i saj i fundit nxjerr në pah vonesa të konsiderueshme në planet e biznesit të ndërmarrjeve, mekanizmat e investimeve dhe në raportimin lidhur me pretendimet për mashtrim dhe korrupsion.
Raporti tregon se vetëm 0% e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve kanë dorëzuar plane biznesi në ERRU për miratim, ndërkohë që objektivi fillestar ishte 60%. Kjo matje daton në shtator 2022. Banka sqaron se metodologjia u miratua nga ERRU në nëntor 2025 dhe se, pas rishikimit afatmesëm, objektivi përfundimtar do të reduktohet në 40%, për të marrë parasysh vonesat në miratimin e saj.
Një tjetër tregues që figuron në 0% është përqindja e ndërmarrjeve që marrin alokime investimesh bazuar në kriteret e pranueshmërisë dhe performancës. Raporti sugjeron se përshkrimi dhe objektivi përfundimtar i këtij treguesi do të rishikohen, me qëllim që të paktën një ndërmarrje rajonale e ujësjellësit ta përmbushë objektivin.
Një vonesë tjetër lidhet me mekanizmin e mbledhjes së informacionit mbi “pretendimet e besueshme dhe materiale për mashtrim dhe korrupsion”. Kjo përfshin masat e marra ose në proces dhe raportimin e tyre te Banka Botërore. Përgjegjësia i është caktuar Ministrisë së Drejtësisë dhe raportimi është parashikuar çdo vit. Banka Botërore konstaton se “aktiviteti në tërësi është i vonuar, në pritje të miratimit të Ministrisë së Drejtësisë”. Vlen të theksohet se raporti nuk identifikon raste konkrete korrupsioni, por vë në dukje vonesën në mekanizmin e raportimit.
Edhe treguesit e furnizimit me ujë tregojnë mangësi krahasuar me objektivat. Numri i zonave urbane me të paktën 18 orë furnizim me ujë mbetet 15 (të dhënat e shtatorit 2022), kundrejt objektivit prej 35 deri në dhjetor 2027. Gjithashtu, 29% e ndërmarrjeve rezultonin në dhjetor 2025 se përmbushnin të paktën 75% të objektivave të marrëveshjeve të performancës, kundrejt objektivit fillestar prej 90%. Pas rishikimit afatmesëm, është rënë dakord që ky tregues të ndryshojë, duke kërkuar përmbushjen e të paktën 50% të objektivave, me objektiv përfundimtar 50% të ndërmarrjeve.
Për familjet vulnerabël, raporti shënon 104 lidhje të reja funksionale që ofrojnë shërbim të sigurt dhe të besueshëm me ujë (të dhënat e shtatorit 2022), kundrejt objektivit prej 3,000 deri në dhjetor 2027. Në një tregues më të gjerë, 5,342 persona kanë përfituar akses në burime të përmirësuara uji (të dhënat e korrikut 2025), kundrejt objektivit 40,000. Për zonat rurale, shifra është 5,342 kundrejt objektivit 32,000, ndërsa për zonat urbane raportohet zero kundrejt objektivit 8,000.
Megjithatë, raporti evidenton një ecuri më të mirë në performancën financiare. Treguesi kombëtar për mbulimin e kostove direkte operative arriti 109.6% në mars 2026. Banka Botërore lidh këtë përmirësim me rritjen e të ardhurave nga shitjet dhe tarifat, si dhe me përmirësimin e faturimit, administrimit të klientëve dhe arkëtimeve. Dokumenti vë në dukje se baza e këtij treguesi duhet rishikuar në 94.6%, pas verifikimit të vitit 2022, me objektiv përfundimtar 104.6%. Disa ndërmarrje kanë treguar përmirësim edhe në kontrollin e kostove të energjisë, personelit dhe mirëmbajtjes.
Janë kryer 12 auditime të eficiencës energjetike në pesë ndërmarrje rajonale, duke mbuluar 23 bashki. Ky objektiv konsiderohet i arritur dhe i tejkaluar. Sistemi i ri i monitorimit dhe krahasimit të performancës gjithashtu është ngritur dhe funksionon.
Programi Kombëtar për Modernizimin e Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve në Shqipëri u miratua në maj 2022, me qëllim përmirësimin e performancës operative dhe financiare të ndërmarrjeve dhe zgjerimin e aksesit në shërbime të sigurta uji. Banka Botërore financoi projektin me një hua prej 75 milionë dollarësh dhe një grant prej 6.3 milionë dollarësh. Huaja është pjesë e një programi prej 135 milionë dollarësh të bashkëfinancuar nga qeveria shqiptare. Në raportin aktual, vlera e huasë është rishikuar në 78.27 milionë dollarë, me 35.88 milionë të disbursuara (45.84%), ndërsa nga granti janë disbursuar 2.19 milionë dollarë (34.76%). Projekti pritet të mbyllet në fund të vitit 2027.
“`
