“`html
Pasuritë e paluajtshme përbëjnë më shumë se 22% të aktiveve të sektorit të sigurimeve
Pasuritë e paluajtshme të zotëruara nga kompanitë e sigurimeve në Shqipëri shënuan një rritje të konsiderueshme vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), sektori i sigurimeve zotëronte toka dhe ndërtesa në vlerën e 14.1 miliardë lekëve, ose rreth 146 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë, vlera e këtyre aseteve u rrit me 79%.
Investimet në prona arritën në 30.5% të totalit të investimeve të sektorit të sigurimeve, nga 18.7% që kishin qenë një vit më parë. Statistikat tregojnë se këto asete zënë një peshë të rëndësishme në strukturën e bilancit total të kompanive të sigurimit.
Në fund të vitit 2025, pasuritë e paluajtshme përbënin 22.3% të aktiveve totale të tregut, nga 13.8% që kishte qenë pesha e tyre një vit më parë. Pesha e pronave në strukturën e bilancit është veçanërisht e lartë në sektorin e sigurimeve të Jo-Jetës, duke arritur në 23.6% (nga 15% në fund të vitit 2024). Në segmentin e sigurimit të Jetës, pesha e pasurive të paluajtshme në bilanc ishte 12.3% në fund të vitit 2025, duke shënuar një rritje të dukshme nga niveli prej 4.9% i një viti më parë.
Vlen të theksohet se pasuritë e paluajtshme janë të përqendruara sidomos në njërin prej grupeve të sigurimit në vend. Tre kompanitë e sigurimit që janë pjesë e këtij grupi zotërojnë pothuajse 65% të vlerës totale të pasurive të paluajtshme të gjithë sektorit.
Këto të dhëna tregojnë se pesha e pasurive të paluajtshme në bilancin e shoqërive të sigurimit është mjaft e lartë dhe në nivele jo tipike, apo të rekomanduara për institucionet financiare. Për shembull, në sektorin bankar, të gjitha aktivet jo-financiare, duke përfshirë kryesisht pasuritë e paluajtshme, përbëjnë rreth 2.2% të totalit të aktiveve.
Në mënyrë specifike për sektorin e sigurimeve, pesha optimale e rekomanduar në kuadrin rregullator është në nivele shumë më të ulëta se ato të mbajtura aktualisht nga sektori i sigurimeve në Shqipëri. Mbështetur në regjimin e Solvency II, kërkesa për peshën e aseteve jo-financiare në portofolin e investimeve është mes 5% dhe 15%, ndërkohë që për tregun e sigurimeve në Shqipëri ky raport arrin në 30.5%. Madje, në tregun e sigurimeve jo-jetës, ky raport është edhe më i lartë, në nivelin 32.6%.
Sipas këtij regjimi, mbajtja e sasive të mëdha të aseteve jo-financiare rrit ndjeshëm kërkesat për kapital. Për shembull, investimi në pasuri të paluajtshme kërkon një mbulim me kapital në masën 25%. Rrjedhimisht, mbajtja e investimeve të tilla në sasi të mëdha nuk është e leverdishme për një shfrytëzim eficient të kapitalit.
“`
