Trump refuzon propozimin e Iranit, tensionet në Hormuz rriten

Trump rrëzon propozimin e Iranit për Hormuzin: E hodha poshtë marrëveshjen, ne po fitojmë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka konfirmuar refuzimin e një propozimi nga Irani për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për përfundimin e luftimeve në Lindjen e Mesme. Sipas informacioneve, propozimi iranian iu dërgua Uashingtonit përmes ndërmjetësve nga Katari gjatë ngjarjeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York.

Teherani kishte propozuar rihapjen e ngushticës dhe përfundimin e armiqësive brenda shtatë ditësh. Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump konfirmoi refuzimin e ofertës.

“Unë e hodha poshtë propozimin e tyre. E hodha poshtë marrëveshjen. Ata duan të bëjnë një marrëveshje për të hapur Ngushticën e Hormuzit menjëherë sepse po humbasin shumë keq. Ne po fitojmë tmerrësisht”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan shpjegoi se Irani kërkon rihapjen e menjëhershme të Hormuzit për shkak të humbjeve ekonomike të lidhura me mbylljen e ngushticës. Ndërkohë, sipas mediave amerikane, Trump ka shprehur privatisht dyshime nëse Teherani do t’i përmbushte kërkesat e tij dhe ka diskutuar me këshilltarët mundësinë e një fushate të re ushtarake ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.

Më herët, një zyrtar amerikan i kishte cilësuar bisedimet e zhvilluara përmes ndërmjetësve si “pozitive dhe konstruktive”.

Gjatë deklaratave të tij, Trump u ndal edhe te marrëdhëniet me Kubën. Presidenti amerikan tha se pret që Uashingtoni dhe Havana të arrijnë një marrëveshje dhe u shpreh se nuk beson se do të jetë e nevojshme ndërhyrja ushtarake.

Scroll to Top