Dy persona hapën zjarr në lokal, 27 të vrarë në Afrikën e Jugut
Të paktën 27 persona kanë humbur jetën dhe 26 të tjerë kanë mbetur të plagosur në dy sulme me armë në dy qytete kryesore të Afrikës së Jugut, Johannesburg dhe Cape Town. Autorët e këtyre sulmeve nuk janë arrestuar ende, sipas policisë.
Sulmi i parë ndodhi të shtunën në mbrëmje, në një lokal në perëndim të Johannesburgut. Tetë persona të armatosur me pushkë hynë në lokal dhe hapën zjarr ndaj klientëve. Fillimisht u qëlluan personat që konsumonin pije jashtë lokalit, dhe më pas të shtënat vijuan brenda tij. Si pasojë, 17 persona u vranë, mes tyre 13 burra dhe katër gra, ndërsa 15 të tjerë u plagosën. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë. Policia tha se autorët dogjën edhe dy automjete para se të largoheshin nga vendngjarja.
Një tjetër sulm me armë ndodhi në orët e para të së dielës, në një ambient argëtimi në një zonë të banuar jashtë Cape Town. Burra të armatosur hapën zjarr, duke vrarë 10 persona dhe plagosur 11 të tjerë. Pesë nga viktimat u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa pesë të tjerë humbën jetën gjatë transportimit për në spital.
Deri tani, nuk ka asnjë të arrestuar për asnjërin prej dy sulmeve.
