Parlamenti hungarez ka hapur rrugën për hetime duke i hequr imunitetin kryeministrit Peter Magyar dhe dy ish-ministrave të qeverisë së Viktor Orbanit.
Parlamenti hungarez ka votuar sot heqjen e imunitetit parlamentar të kryeministrit Peter Magyar dhe dy ish-ministrave të qeverisë së Viktor Orbanit. Ky vendim i hap rrugë vijimit të hetimeve penale ndaj tyre në çështje të ndryshme.
Vendimi u miratua me 139 vota pro, pa vota kundër apo abstenime. Në rastin e Magyar, hetimi lidhet me një incident të vitit 2024, ku ai dyshohet se i mori telefonin një personi që po e filmonte në një klub nate dhe më pas e hodhi pajisjen në lumin Danub. Magyar e ka kundërshtuar këtë çështje dhe, në fakt, kishte kërkuar vetë që imuniteti i tij të hiqej, duke deklaruar se dëshironte që rasti të trajtohej nga drejtësia.
Dy ish-ministrat e epokës së Orbanit, Balazs Hanko dhe Miklos Sesztak, përballen me hetime të tjera:
- Hanko, ish-ministër i Kulturës dhe Inovacionit dhe deputet i Fidesz, hetohet për dyshime për keqpërdorim të fondeve publike në çështjen e Fondit Kombëtar të Kulturës.
- Sesztak, ish-ministër i Zhvillimit dhe deputet i KDNP-së, është nën hetim në lidhje me një çështje korrupsioni që lidhet me kontrata të Volanbusz.
Partitë Fidesz dhe KDNP nuk morën pjesë në votimin parlamentar.
Kërkesa për heqjen e imunitetit të tre politikanëve ishte bërë nga prokuroria hungareze më 22 shtator, me qëllim që hetimet përkatëse të mund të vijonin pa pengesën e imunitetit parlamentar.
Ky vendim vjen në një moment të rëndësishëm për politikën hungareze, pasi qeveria e re e drejtuar nga Magyar ka deklaruar se synon të hetojë çështje të korrupsionit të lidhura me periudhën e gjatë të qeverisjes së Viktor Orbanit. Vetë Magyar ka propozuar gjithashtu heqjen e imunitetit parlamentar për veprat penale që ndiqen nga prokuroria.
