Ekosistemi Shqiptar i Inovacionit në Bits & Pretzels 2026

Ekosistemi shqiptar i inovacionit i prezantuar në Bits & Pretzels; 17 startup-e nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora

Ekosistemi shqiptar i inovacionit, i cili po konsolidohet si një rrjet sipërmarrjesh me ambicie ndërkombëtare, po prezantohet në Bits & Pretzels 2026, një nga eventet më të rëndësishme europiane të startup-eve dhe inovacionit, që zhvillohet në Mynih të Gjermanisë.

Në këtë festival, Shqipëria, që këtë vit ka statusin e vendit partner, po përfaqësohet me 17 startup-e nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Këto biznese sjellin jo vetëm historitë e tyre të suksesit, por edhe një panoramë të transformimit që po kalon ekosistemi shqiptar i inovacionit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, e pranishme në Bits & Pretzels, u shpreh se:

  • “17 startup-et e përzgjedhur operojnë në fushat e cybersecurity, inteligjencës artificiale dhe edukimit. Këto sektorë janë zgjedhur me qëllim pasi janë ndër më të kërkuarit aktualisht në tregjet ndërkombëtare.
  • Qëllimi është që këto startup-e të ndajnë idetë e tyre, të bëjnë takime me subjekte të ngjashme dhe tërheqin sa më shumë financime në tregun tonë.
  • Panaire të tilla shërbejnë për të vendosur Shqipërinë në hartën globale të ekosistemit të startup-eve, duke na ndihmuar të arrijmë nivelet e vendeve të tjera që janë të shtrira në tregjet e huaja.”

Promovimi i ekosistemit shqiptar të inovacionit në Bits & Pretzels është një iniciativë e Startup Albania dhe EU4Innovation (GIZ). Kjo nismë bën pjesë në përpjekjet për të zgjeruar praninë ndërkombëtare të startup-eve shqiptare dhe për t’i lidhur ato me rrjetet europiane të inovacionit dhe investimeve.

Pjesëmarrja në Bits & Pretzels 2026 vjen pas një pranie gjithnjë e më aktive të startup-eve shqiptare në evente të rëndësishme ndërkombëtare të inovacionit, si ITB Berlin, VivaTech dhe Slush. Kjo prani po forcon gradualisht pozicionimin e Shqipërisë në hartën europiane të sipërmarrjes inovative.

Scroll to Top