Papunësia e të rinjve rritet: Sfida në tregun e punës

Situata e punësimit për të rinjtë po përkeqësohet, me një rritje prej 4.3% të të papunëve të regjistruar brenda një viti.

Të gjitha matjet zyrtare tregojnë një përkeqësim të mundësive për punësim për të rinjtë. Të dhënat nga Anketa e Forcave të Punës raportojnë se papunësia tek grupmosha 15-29 vjeç pati një rritje vjetore prej 16% në tremujorin e dytë të vitit. Ndërkohë, të dhënat administrative tregojnë se 16,537 të rinj u regjistruan si të papunë në zyrat e punësimit, duke shënuar një rritje vjetore prej 4.3%.

Pas një përmirësimi të përkohshëm në tremujorin e parë të vitit 2025, papunësia e regjistruar te të rinjtë ka ndjekur një trajektore rritëse. Gjatë tre tremujorëve pasues, numri i të papunëve është rritur gradualisht, duke arritur mbi 16.5 mijë persona në tremujorin e dytë të këtij viti.

Rritja e papunësisë së regjistruar te të rinjtë lidhet pjesërisht me vështirësitë që ky grup-moshë has për t’u integruar në tregun e punës. Edhe pse ekonomia ka krijuar vende të reja pune, një pjesë e tyre janë përqendruar në sektorë ku kërkohen punonjës me më shumë përvojë ose aftësi specifike. Në të njëjtën kohë, shumë të rinj përballen me mungesë përvoje profesionale dhe kualifikimesh të përshtatura me kërkesat e bizneseve.

Vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm të rinjsh kanë zgjedhur të kërkojnë mundësi punësimi jashtë vendit. Kjo ka ulur ofertën e punës në disa sektorë, por njëkohësisht ka nxjerrë në pah vështirësitë e atyre që mbeten në tregun vendas për të gjetur punë të qëndrueshme.

Gjithashtu, një pjesë e të rinjve kalojnë periudha më të gjata në kërkim të punës pas përfundimit të shkollimit. Kjo lidhet me tranzicionin më të vështirë nga arsimi drejt punësimit, sidomos për ata pa përvojë të mëparshme.

Të dhënat nga Anketa e Forcave të Punës treguan se në tremujorin e dytë të vitit 2026, kishte 36.7 mijë të papunë të moshës 15-29 vjeç, nga 31.6 mijë në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Të dhënat nga burimet administrative tregojnë se gjysma e tyre janë regjistruar si të papunë, çka do të thotë se duan të punojnë, por nuk gjejnë punë.

Përkeqësimi i tregut të punës për të rinjtë po ndodh në një kohë kur bizneset e konsiderojnë mungesën e fuqisë punëtore si pengesën më të madhe për të bërë biznes. Nga ana tjetër, grupmoshat më të mëdha po integrohen më shpejt, duke përfshirë edhe pensionistët. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, rreth 145 mijë pensionistë ishin duke punuar, me një rritje vjetore prej 10.4%. Ata përbënin 13% të personave të punësuar gjithsej.

Në të njëjtën periudhë, numri i të rinjve të punësuar ra në 170.3 mijë persona, ose 4% më pak.

Scroll to Top