NATO dënon retorikën bërthamore të Rusisë mes tensioneve të shtuara
NATO ka reaguar fuqishëm ndaj deklaratave të fundit të Rusisë në lidhje me situatën rreth enklavës ruse të Kaliningradit. Aleanca ushtarake dënon atë që e cilëson si “retorikë të papërgjegjshme bërthamore”.
Zëdhënësja e NATO-s, Alison Hart, konfirmoi se aleanca ka pranuar një dokument nga Moska, ku Rusia shpreh shqetësimin për veprime të cilat ajo i konsideron “provokuese” të NATO-s kundrejt Kaliningradit.
“Ne dënojmë fuqimisht kërcënimin për përdorimin e forcës ushtarake, përfshirë çdo retorikë bërthamore të papërgjegjshme,” deklaroi Hart. Ajo gjithashtu konfirmoi se NATO po përgatit përgjigjen ndaj dokumentit të dërguar nga pala ruse.
Dokumenti, i bërë publik nga Ambasada e Rusisë në Bruksel përmes platformës X, shpreh “shqetësimin” e Moskës për aktivitetet e NATO-s, të cilat sipas Rusisë, përbëjnë provokime ndaj enklavës së Kaliningradit.
Në dokument, Rusia paralajmëron se është e gatshme të reagojë ndaj këtyre zhvillimeve “me të gjithë arsenalin e saj”. Kjo formulim ka shkaktuar reagimin e NATO-s për shkak të referencave ndaj kapaciteteve ushtarake dhe bërthamore.
Kaliningradi është një territor rus i shkëputur nga pjesa kontinentale e Federatës Ruse, i vendosur mes Polonisë dhe Lituanisë, të dyja vende anëtare të NATO-s. Pozicioni i tij strategjik e ka bërë prej kohësh një pikë të ndjeshme të përplasjes ushtarake dhe politike mes Moskës dhe aleancës.
Ky reagim i fundit vjen në një periudhë me tensione të larta mes NATO-s dhe Rusisë, ku të dyja palët kanë shkëmbyer akuza për veprime provokuese dhe përshkallëzim të situatës së sigurisë në Evropë.
NATO ka theksuar përsëri se çdo kërcënim për përdorimin e forcës, dhe veçanërisht referencat ndaj armëve bërthamore, janë të papranueshme. Ndërkohë, Moska vazhdon të paralajmërojë se do të reagojë ndaj çdo veprimi që e konsideron kërcënim për interesat dhe sigurinë e saj.
