Sistemi i ri EES hyn në fuqi për udhëtimet jashtë BE

Prej ditës së sotme, aeroportet europiane do të fillojnë zbatimin gradual të sistemit Entry/Exit System (EES). Funksionimi i plotë pritet të arrihet në prill të vitit 2026.

Ky sistem ofron një metodë të re identifikimi biometrik që do të zëvendësojë vulat manuale të pasaportave me regjistrim elektronik. Ai është destinuar për qytetarët e 29 vendeve të treta që nuk kërkojnë vizë për të hyrë në Bashkimin Europian.

Sistemi do të regjistrojë të gjithë shtetasit jo-BE që udhëtojnë në zonën Shengen për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180 ditore.

Qëllimi kryesor i EES është shkurtimi i radhëve në pikat kufitare, duke zëvendësuar vulën manuale me një kontroll plotësisht digjital. Të dhënat biometrike të pasagjerëve, si gjurmët e gishtërinjve dhe njohja e fytyrës, së bashku me emrin, datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes, do të regjistrohen.

Sistemi do të llogarisë automatikisht kohën e qëndrimit në zonën Shengen dhe ditët e mbetura nga kuota prej 90 ditësh. Të gjitha këto të dhëna do të ruhen për 3 vite, ose 5 vite në rast të tejkalimit të afateve të qëndrimit, pas së cilës do të fshihen automatikisht.

Nga procesi i dhënies së shenjave të gishtërinjve, përjashtohen fëmijët nën 12 vjeç.

Sistemi bazohet në nevojën për të përmirësuar kontrollin e flukseve migratore drejt Evropës, duke pasur parasysh se menaxhimi dhe siguria e kufijve të jashtëm të BE-së janë bërë një përparësi absolute.

BE-ja ka investuar një fond prej 142 milionë eurosh vetëm për fazën e projektimit të kësaj teknologjie. Tenderin e ka fituar një konsorcium i përbërë nga kompanitë IBM (SHBA), Leonardo (Itali) dhe Atos (Francë).

Leave a Comment

Scroll to Top