ArkivaKryesoreLajmenegativ

Vrasja e Gjyqtarit në Shqipëri, zemërim ndaj drejtësisë

Media amerikane Fox News i ka kushtuar një artikull të zgjeruar vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, duke e cilësuar ngjarjen si një “simbol shpërthyes të pakënaqësisë kombëtare ndaj gjyqësorit shqiptar.” Artikulli trajton efektet e reformës në drejtësi të mbështetur nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, e cila sipas burimeve ka krijuar një krizë funksionale dhe një stok të madh çështjesh të pazgjidhura.

Në shkrim citohen ish-ambasadori Agim Nesho, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi, të cilët argumentojnë se reforma, me synimin për të forcuar shtetin e së drejtës, është shndërruar në një instrument politik që ka minuar pavarësinë e institucioneve.

Më 6 tetor 2025, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit në Tiranë. Ngjarja u shndërrua shpejt në një simbol të pakënaqësisë ndaj gjyqësorit shqiptar.

Agim Nesho shprehet se reformat kanë minuar institucionet demokratike dhe kanë përqendruar pushtetin në duart e ekzekutivit, duke ulur besimin e publikut dhe duke shtyrë segmente të shoqërisë të marrin drejtësinë në duart e tyre.

Sali Berisha e cilësoi vrasjen si “një veprim të tmerrshëm dhe një kambanë alarmi” dhe se mbështetja për autorin tregon një protestë ndaj një drejtësie jofunksionale, të korruptuar dhe të politizuar. Ai theksoi se reforma ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë për vite me radhë, duke krijuar një stok prej rreth 200 mijë çështjesh.

Besnik Muçi deklaroi se reforma ka dështuar pothuajse në të gjithë parametrat, duke krijuar një stok prej rreth 150 mijë çështjesh dhe duke bllokuar aksesin e qytetarëve në drejtësi.

Pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, Dhomat e Avokatisë bojkotuan seancat gjyqësore për të theksuar nevojën për më shumë siguri dhe besim ndaj trupës gjyqësore.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me situatën e sistemit gjyqësor.

Lini një Përgjigje