Kombëtarja shqiptare ka rritur ndjeshëm mundësitë për t’u kualifikuar në play-off të Botërorit, pas fitores kundër Serbisë në Leskovac. Megjithëse ka ende ndeshje të mbetura, analizat tregojnë se rruga drejt kualifikimit mund të bëhet më e favorshme.
Aktualisht, Shqipëria shihet si “tifoze” e Belgjikës kundër Maqedonisë së Veriut, duke shpresuar që këto skuadra të ndryshojnë vendet e tyre në Grupin J. Maqedonia e Veriut kryeson grupin me 12 pikë pas 6 ndeshjesh, ndërsa Belgjika ka 11 pikë nga 5 ndeshje dhe Uellsi 10 pikë gjithashtu nga 5 ndeshje.
Nëse Maqedonia e Veriut do të renditej e dyta dhe Belgjika e para, duke shkuar direkt në Botëror, Shqipëria do të përfitonte nga lëvizjet në renditje. Kjo do të mundësonte ngjitjen e Shqipërisë në vazon e dytë të shortit të play-off. Avantazhi i vazos së dytë qëndron në faktin se ekipet e saj janë pritëse në gjysmëfinalet e play-off, të cilat zhvillohen në mars 2026 kundër skuadrave nga vazoja e tretë.
Të zhvillosh ndeshjen gjysmëfinale kundër një ekipi nga vazoja e tretë në stadiumin “Air Albania” do të ishte një ndihmesë e madhe drejt objektivit historik të kualifikimit në Botëror.
Situata aktuale e vazove të play-off pas ndeshjeve të raundit të 7:
- Vazo 1: Belgjikë, Itali, Turqi, Ukrainë
- Vazo 2: Poloni, Çeki, Hungari, Skoci
- Vazo 3: Shqipëri, Irlandë e Veriut, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë
- Vazo 4: Uells, Rumani, Suedi, Moldavi