Një ngjarje tragjike ka tronditur Italinë, ku një shpërthim në Castel D’Azzano, pranë Veronës, ka shkaktuar vdekjen e tre karabinierëve dhe plagosjen e dhjetëra personave të tjerë, përfshirë pjesëtarë të forcave të rendit dhe zjarrfikës.
Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni dëbimi. Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave dhe ka pasur një bisedë me Komandantin e Përgjithshëm të Karabinierëve për të shprehur personalisht keqardhjen.
Meloni gjithashtu uroi shërim të shpejtë për të plagosurit dhe falënderoi personelin mjekësor dhe forcat e emergjencës për reagimin e tyre të shpejtë dhe profesional.
“Po ndjek me shqetësim dhe pikëllim zhvillimet e kësaj çështjeje dramatike, e cila na kujton edhe një herë vlerën dhe sakrificën e përditshme të atyre që i shërbejnë shtetit dhe qytetarëve të tij”, deklaroi ajo.