Von der Leyen në Kosovë: Takime me Osmanin e Kurtin

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Kosovën më 15 tetor. Gjatë kësaj vizite, ajo do të zhvillojë takime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Takimi me presidenten Osmani do të zhvillohet në Presidencë në orën 13:00, ndërsa nuk është paralajmëruar ndonjë deklaratë për media pas këtij takimi.

Më pas, në orën 14:05, kryeministri Kurti do të presë shefen e Komisionit Evropian në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Kjo vizitë vjen pas një periudhe kur ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, kishte informuar qeverinë e përkohshme se zyrtarët e BE-së nuk do të mbanin takime në ndërtesën qeveritare derisa vendi të ketë një qeveri me mandat të plotë. Ky vendim ishte bazuar në një aktgjykim të Gjykatës Supreme lidhur me udhëzimet administrative të nënshkruara nga ministrat që janë edhe deputetë.

Kryeministria e Kosovës ka qenë në detyrë që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Albin Kurti ka marrë mandatin për të formuar qeverinë e re dhe ka afat deri më 26 tetor për ta paraqitur atë para Kuvendit.

Vizita e von der Leyen në Kosovë është pjesë e një turneu ballkanik që përfshin edhe Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo vizitë zhvillohet në një kohë kur Bashkimi Evropian ka nisur heqjen e disa masave ndëshkuese që i ishin vendosur Kosovës në vitin 2023, për shkak të tensioneve në veri.

Në vizitën e saj të fundit në tetor të vitit të kaluar, von der Leyen kishte vlerësuar punën e Kosovës në agjendën e reformave për Planin e Rritjes të BE-së, një plan prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Scroll to Top