Ushtria suedeze ka marrë në monitorim një nëndetëse ruse që hyri në Detin Baltik ditën e djeshme. Ky veprim është përshkruar nga forcat suedeze si një “operacion rutinë”, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me aleatët e NATO-s.
Sipas njoftimit zyrtar, nëndetësja ruse hyri në Detin Baltik përmes ngushticës daneze të ‘Great Belt’. Aeroplanë luftarakë dhe anije luftarake suedeze e kanë ndjekur atë në zonën e Kattegat dhe e mbajnë vazhdimisht nën vëzhgim.
Forcat e armatosura suedeze sqarojnë se ky operacion është pjesë e monitorimit të përditshëm dhe rutinë, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me vendet partnere të NATO-s. Ata gjithashtu deklarojnë se kanë një pasqyrë të qartë të situatës në rajon.
Tensionet në Detin Baltik janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.