Lajmeneutrale

SPAK kërkon konfirmimin e prokurorit Ylli Pjetërnika

Drejtuesi i SPAK ka ndryshuar kërkesën e tij lidhur me procesin e vetingut të prokurorit të Tiranës, Ylli Pjetërnika. Në seancën e zhvilluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, prokurori Klodian Braho, duke përfaqësuar SPAK, ka parashtruar konkluzionet përfundimtare lidhur me ankimin ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurorit Pjetërnika.

KPK fillimisht kishte zbatuar parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit për vlerësimin e pasurisë, duke pasur parasysh të ardhurat nga aktiviteti bujqësor familjar kur subjekti ishte ende i mitur dhe në proces studimesh. Megjithatë, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, e ka ankimuar vendimin, duke argumentuar se nuk është provuar ligjshmëria e burimeve financiare të deklaruara si të përfituara nga ferma bujqësore dhe blegtorale, të cilat ishin deklaruar si burim kryesor për krijimin e likuiditeteve në vitin 2013, si dhe investimet e familjarëve kur subjekti ishte i mitur.

Prokurori Braho, duke iu referuar shkaqeve të ankimit, ka theksuar në seancë se problemet e konstatuara nuk duhet të sjellin penalizim për subjektin. Ai ka sqaruar se pasuritë janë krijuar nga të ardhurat e familjes bujqësore, pagat dhe pensionet e anëtarëve të saj, ndërsa subjekti Pjetërnika ka deklaruar se nuk ka kontribuar në krijimin e tyre. Për likuiditetin cash, ai ka deklaruar se ky nuk i përket atij personalisht, por ishte gjendja aktuale e likuiditeteve të familjes bujqësore në momentin e deklarimit.

Braho ka paraqitur prova për veprimtarinë bujqësore dhe blegtorale të familjes, e cila ka nisur që në vitin 1990 dhe është formalizuar më vonë, duke përfituar edhe fonde nga agjenci shtetërore. Ai ka nënvizuar se pasaktësitë e konstatuara lidhen me natyrën e përbashkët të veprimtarisë familjare dhe se nuk ka dyshime për burime të paligjshme. Edhe në aspektin profesional, problemet e evidentuara nuk janë konsideruar serioze për të sjellë shkarkimin.

Në përfundim, prokurori Braho ka parashtruar kërkesën e drejtuesit të SPAK për lënien në fuqi të vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Ylli Pjetërnika. Vetë prokurori Pjetërnika ka kërkuar pushimin e çështjes ose, si alternativë, lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs ka kërkuar qartësim nga prokurori Braho nëse kërkesa përfaqëson heqje dorë nga ankimi apo konfirmimin e vendimmarrjes së KPK, duke theksuar rëndësinë e këtij qartësimi për vendimmarrjen e Kolegjit. Braho ka konfirmuar se qëllimi është lënia në fuqi e vendimit të KPK.

Trupi gjykues i KPA ka shpallur mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe ka shtyrë seancën për shpalljen e vendimit më datë 17 tetor, në orën 12:00.