Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, është akuzuar nga Partia Demokratike e opozitës për përfitime nga një spital privat në Tiranë dhe për konflikt interesi lidhur me kompaninë ku punësohet i biri. Këto akuza janë pjesë e një kërkese të PD-së për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin e Presidentit.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, Presidenti Begaj ka kryer disa shkelje të Kushtetutës, duke përfshirë dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë dhe një kërkesë për përfundimin e mandatit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesa e PD-së denoncon gjithashtu “një konflikt permanent interesi” të Presidentit për përfitime personale të tij dhe të të birit. Këto pretendime bazohen në deklarimet e Presidentit ku ai ka treguar të ardhura nga spitali privat “Acibadem” dhe nga Akademia e Forcave të Armatosura.
Opozita gjithashtu pretendon se Presidenti ka kultivuar një lidhje të konfliktit të interesit me kompaninë ku është punësuar i biri, duke kontraktuar kompaninë e sigurimeve ANSIG sh.a për polica sigurimi, në kushtet kur i biri është i punësuar aty.
PD i sheh këto veprime si cënim të parimit të konkurrencës së lirë dhe të besimit publik te figura e Presidentit.
Presidenca nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Partia Socialiste e quajti kërkesën e opozitës të pabazuar dhe pretendimet për përfitime private si “thashetheme”.