Presidenti Begaj ka nisur një proces për shkurtimin e mandatit të një gjyqtareje të Gjykatës Kushtetuese, duke krijuar pasiguri mes gjyqtarëve, duke injoruar rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe duke shkaktuar reagimin e Bashkimit Evropian.
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 16 tetor një kërkesë të Presidentit Begaj për të shkurtuar ose lënë në fuqi mandatin 9-vjeçar të njërit prej anëtarëve të saj, i cili emërohet nga Presidenti i Republikës. Ky veprim, i nisur nga një reformë e pazakontë në drejtësi, ka pasur si qëllim rotacionin për të siguruar pavarësinë politike të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ky mekanizëm po përdoret sot për të shkurtuar mandatin e Sonila Bejtes, e cila është dekretuar nga Presidenti të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028.
Pas një lobimi intensiv, Presidenti Begaj i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse mandati i Bejtes do të përfundojë tani apo tre vite më pas. Ky rast ngre çështje të rëndësishme jo vetëm politike, por edhe parimin e kushtetutshmërisë së institucioneve, pavarësinë e tyre dhe garancinë që gjyqtarët të marrin vendime pa presionin e shkarkimit. Ky proces ka ngjallur dyshime për përpjekje për politizimin e drejtësisë dhe kontrollin e sistemit.
Seanca e filluar më 16 tetor për shqyrtimin e kohëzgjatjes së mandatit të Bejtes është në kufijtë e antikushtetueshmërisë, pasi Presidenti dyshohet se ka tejkaluar kompetencat e veta duke vënë në diskutim një mandat të plotë 9-vjeçar. Një veprim i tillë përbën një precedent të rrezikshëm, pasi nëse një gjyqtar kushtetues i hiqet mandati në mënyrë flagrante, askush nga kolegët e tij nuk mund të jetë më i lirë të marrë vendime të pavarura.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin e tij për “pasigurinë ligjore” të mandatit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ky alarm vjen jo vetëm për një gjyqtar të caktuar, por për të gjithë. Ky proces rrezikon të ngjallë “fantazma të së shkuarës” dhe të dëmtojë rëndë pavarësinë e drejtësisë.