Muaji gusht në Kosovë shënoi një rritje të ndjeshme të numrit të martesave dhe një rënie të numrit të divorceve. Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në gusht u regjistruan 1,972 martesa, 59.5% më shumë se në korrik. Ndërkohë, numri i divorceve ra me 45.2%, duke arritur në 97 raste.
Megjithatë, numri i lindjeve ka shënuar rënie. Në gusht u regjistruan 2,516 lindje, 6.4% më pak se muaji i kaluar. Nga këto, 1,284 ishin meshkuj dhe 1,232 femra.
Në anën tjetër, numri i vdekjeve është rritur. Në gusht u regjistruan 914 vdekje, 4.3% më shumë se në korrik. Prej tyre, 515 ishin meshkuj dhe 399 femra.
Këto shifra vijnë në një kontekst ku Kosova renditet e para në botë për nga shkalla e tkurrjes së popullsisë, me një rënie prej -9.7% sipas Bankës Botërore për vitin 2024. Ky fenomen, kryesisht i nxitur nga emigrimi masiv, konsiderohet alarmant për të ardhmen e zhvillimit të vendit.