Përplasja President-Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet

Zyra e shtypit e Presidencës ka shpërndarë një “mbrojtje ligjore” të kreut të shtetit në çështjen e Erion Veliajt, i cili kundërshton shkarkimin si kryetar bashkie. Presidenti pretendon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar një dekret të tij, i cili caktonte zgjedhje të pjesshme në Tiranë, është antikushtetues.

Padia e Veliajt mbështetet në Kushtetutë, duke theksuar se vendimi i shkarkimit pezullohet pas ankimimit. Megjithatë, Presidenti Begaj i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shpallë moskompetencën për shqyrtimin e dekretit dhe të heqë pezullimin.

Presidenti kërkon gjithashtu që padia e Veliajt të rrëzohet si e pabazuar dhe të shpallet një datë e shpejtë zgjedhjesh. Sipas argumenteve të Presidencës, vetëm ky procedim mund të rivendosë kushtetutshmërinë e procesit ankimor.

Në dokumentin e përgatitur për seancën e 31 tetorit, ku do të vendoset për ligjshmërinë e shkarkimit të Veliajt, Presidenti përdor gjuhë që aludon drejt intimidimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai sugjeron që Gjykata të ruajë jurisprudencën e saj, duke kundërshtuar çdo interpretim “rast pas rasti” të Kushtetutës.

Presidenti akuzon Gjykatën Kushtetuese për “vetëizolim” dhe për vendime të njëanshme, duke pretenduar se kjo e fundit nuk ka kompetencën ligjore për të shqyrtuar ankimin e Veliajt. Sipas tij, vendimi i mbledhjes së Gjyqtarëve është antikushtetues dhe duhet korrigjuar, ndërsa Gjykata duhet të riçelë diskutimin duke dëgjuar argumentet e palëve.

Ky dokument, i cilësuar si “sulm” publik ndaj Gjykatës Kushtetuese, u publikua pas një kërkese zyrtare të opozitës për shkarkimin e Presidentit për shkelje kushtetuese.

Scroll to Top