Një artikull i publikuar nga gazeta spanjolle EL TIEMPO zbulon detaje rreth planifikimit të një prej operacioneve më të mëdha kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ku viktimat përfunduan në vende si Kroacia dhe Kosova.
Grupi kriminal, i drejtuar nga një person me shtetësi kolumbiane dhe malteze, i njohur me nofkën ‘Lukas’, rekrutonte gra kryesisht nga Kolumbia me premtime të rreme për punësim në Evropë. Pas mbërritjes, viktimat detyroheshin të paguanin një borxh fillestar prej 5.000 eurosh për shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit. Ky borxh bëhej i pashlyeshëm për shkak të vjedhjes sistematike të të ardhurave të tyre nga shfrytëzuesit, të cilët i mbanin në kushte skllavërie seksuale dhe u vendosnin vazhdimisht gjoba.
Gjatë hetimit, u identifikuan 60 viktima kolumbiane të këtij rrjeti, të shpërndara në vende si Shqipëria (44), Kroacia (5), Bahreini (4), Kosova (3) dhe Mali i Zi (4). Organizata kishte lidhje operative në Greqi, Kroaci, Shqipëri, Kosovë, Maltë, Mal të Zi dhe Bahrein.
‘Lukas’, i cili jetonte në Evropë dhe lëvizte me letra të rreme ftesash, duke përfituar nga shtetësia malteze, u arrestua në Envigado. Ai drejtonte aktivitetet e paligjshme në bashkëpunim me të atin, i cili ndodhet në Maltë. Operacioni u planifikua për gjashtë muaj, duke u bazuar në shkëmbimin e detajuar të informacioneve dhe mbledhjen e provave, duke mundësuar identifikimin e udhëheqësit kryesor.
Operacioni përfshiu 14 bastisje në Kolumbi, duke çuar në arrestimin e 13 personave të dyshuar si pjesëtarë të rrjetit, mes tyre edhe ‘Lukas’. Nga këto arrestime, 12 ishin me urdhër gjykate për trafikim të qenieve njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual, dhe një person u arrestua në flagrancë për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, u sekuestruan tre armë zjarri.
Hetimi tregoi se viktimat mund të kishin pësuar infeksione seksualisht të transmetueshme dhe dëmtime serioze në shëndetin fizik dhe mendor.