Vdes murator nga Shëngjini pas rënies nga pallati
Një murator 36-vjeçar, i identifikuar si Anton Zefi, humbi jetën pasditen e së enjtes pasi ra nga lartësia në një kantier ndërtimi në zonën e Kunës në Shëngjin. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30.
Sipas policisë, viktima ra aksidentalisht në boshtin e ashensorit të pallatit në ndërtim. Ky është rasti i katërt i vdekjes nga aksidentet në punë në këtë zonë brenda një viti.
36-vjeçari, për shkak të rënies, mori plagë të shumta në pjesë të ndryshme të trupit, të cilat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëse, të cilat bënë nxjerrjen e trupit. Ai u dërgua për ekspertizë mjeko-ligjore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po mbledh çdo provë dhe dëshmi për të përcaktuar nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në punë.
Përfaqësues të Inspektoriatit të Punës kanë nisur analizën e tyre për kushtet teknike dhe të sigurisë në kantier.
Aksidentet me pasojë vdekjen në vendin e punës, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, mbeten një problem sistemik në Shqipëri. Shkaku kryesor i këtyre tragjedive është shpesh mungesa e masave të sigurisë teknike.
Deputeti i opozitës në Lezhë, Gjin Gjoni, fajësoi qeverinë dhe autoritetet për mungesë vëmendjeje dhe lejimin e ndërtimeve në shkelje të kushteve teknike dhe pa leje.
“Kjo është viktima e katërt brenda një viti nga aksidentet në punë në zonën e Shëngjinit,” shkroi Gjoni, duke shtuar se ndërtimet pa kriter dhe shpesh pa leje vazhdojnë.