OKB mirëpret armëpushimin Pakistan-Afganistan
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka shprehur mirënjohje për armëpushimin e përkohshëm të arritur së fundmi mes Pakistanit dhe Afganistanit, duke theksuar nevojën për “një fund të qëndrueshëm të luftimeve”.
Zëdhënësi Stephane Dujarric, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se Sekretari i Përgjithshëm ka ndjekur me shqetësim raportet për përleshjet e armatosura në kufirin afgano-pakistanas, të cilat kanë sjellë viktima dhe të plagosur në mesin e civilëve.
Duke cituar thirrjen e shefit të OKB-së për t’i bërë palët të dakord për një fund të përhershëm të luftimeve dhe për t’u angazhuar në dialog për mbrojtjen e civilëve, Dujarric shtoi se Misioni i OKB-së në Afganistan po monitoron situatën.
Misioni gjithashtu e ka mirëpritur armëpushimin dhe po vlerëson numrin e saktë të viktimave civile. Informacionet paraprake tregojnë se të paktën 17 civilë janë vrarë dhe 346 janë plagosur në Spin Boldak, në anën afgane të kufirit, si dhe 16 të tjerë në provincat Paktika, Patkya, Kunar dhe Helmand.
Misioni i OKB-së u ka rikujtuar të gjitha palëve detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar për të respektuar parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave paraprake për të parandaluar humbjet civile.
Ky armëpushim 48-orësh, i cili hyri në fuqi të mërkurën, vjen pas përleshjeve përgjatë kufirit të përbashkët. Është i dyti armëpushim mes dy vendeve fqinje, pas një episodi të ngjashëm më 11 tetor, i cili u ndal pas ndërmjetësimit të Katarit dhe Arabisë Saudite.