Trump & Putin: Takim në Budapest për paqe
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë rënë dakord të takohen në Budapest, Hungari. Ky vendim u mor pas një bisede telefonike mes tyre, duke paraprirë vizitën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington.
“U pajtuam që javën e ardhshme të zhvillohet një takim i këshilltarëve tanë të nivelit të lartë… Presidenti Putin dhe unë më pas do të takohemi në vendin për të cilin u morëm vesh, pra në Budapest, Hungari,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Presidenti i Hungarisë, Viktor Orban, ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të pritur dy liderët. Ai e cilësoi takimin si “lajm të shkëlqyer për njerëzit që duan paqe në mbarë botën”.
Trump ka theksuar se qëllimi i takimit me Putinin në Budapest është të shihet nëse mund të arrihet përfundimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Delegacioni amerikan që do të zhvillojë bisedime paraprake me palën ruse do të udhëhiqet nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndërsa vendndodhja e këtyre bisedimeve ende nuk është përcaktuar.
Si Kremlini, ashtu edhe Shtëpia e Bardhë, e kanë përshkruar telefonatën mes dy liderëve si “të mirë” dhe “frytdhënëse”. Këshilltari për politikë të jashtme i Kremlinit, Yury Ushakov, e ka përshkruar bisedën si “jashtëzakonisht e sinqertë dhe e besueshme”.
Ky takim vjen pak para takimit të Trump me Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Trump ka deklaruar se do të diskutojë me Zelensky për bisedën e tij me Putinin dhe çështje të tjera. Kohët e fundit, Trump ka shprehur zhgënjim lidhur me luftën në Ukrainë dhe mungesën e dëshirës së Putinit për ta përfunduar konfliktin.
Ndërkohë, Zelensky pritet të diskutojë me Trump mbi mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe mundësinë e ofrimit të raketave me rreze të gjatë veprimi, duke përfshirë raketat Tomahawk. Kremlini ka paralajmëruar kundër furnizimit të Kievit me këto armë.