Shqiptarët largohen me leje pune, kërkesat për azil bien

Në pjesën e parë të këtij viti, kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian (BE) kanë shënuar një rënie të ndjeshme. Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë periudhës janar-korrik, numri i kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shqiptarët në BE ka qenë 3100, duke përbërë një ulje prej 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Ky numër është përgjysmuar në krahasim me vitin 2022, ku u regjistrua një nivel i lartë emigracioni pas pandemisë.

Franca vazhdon të jetë destinacioni kryesor për kërkesa azili, e ndjekur nga Gjermania. Megjithatë, tendenca e re tregon se lejet e punës po bëhen forma më e preferuar e largimit nga Shqipëria. Midis viteve 2022-2024, janë dhënë mesatarisht 20,000 leje pune në vit, kryesisht drejt Italisë, Greqisë dhe Gjermanisë, krahasuar me 3-4,000 leje dhënë një dekadë më parë.

Që nga viti 2021, BE-ja ka akorduar rreth 72,000 leje qëndrimi për herë të parë për qëllime punësimi për shtetasit shqiptarë. Aktualisht, numri i personave që largohen me leje pune është pothuajse dyfishi i atyre që kërkojnë azil.

Sipas të dhënave të Eurostat, kërkesat për azil nga shqiptarët në vendet e BE-së kanë qenë 15,000 në vitin 2022, 11,000 në vitin 2023 dhe 9,300 në vitin 2024.

Në nivel më të gjerë, në korrik 2025, u regjistruan 55,340 aplikime të para për azil nga shtetas të vendeve jo-BE, duke shënuar një rënie prej 27% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, por një rritje prej 6% krahasuar me qershorin 2025. Gjithashtu, u paraqitën 11,515 aplikime të përsëritura, me një rritje të konsiderueshme.

Grupi më i madh i aplikantëve ishin shtetasit venezuelianë, të ndjekur nga afganët, bangladeshasit dhe sirianët. Katër vendet anëtare kryesore – Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania – morën së bashku 73% të të gjitha aplikimeve.

Në korrik 2025, u paraqitën gjithashtu 1,755 kërkesa nga të mitur pa shoqërues, kryesisht nga Afganistani dhe Eritrea. Holanda, Gjermania dhe Spanja pranuan numrin më të madh të këtyre aplikantëve.

Eurostat thekson se këto shifra pasqyrojnë një dinamikë të ndryshueshme të flukseve të azilkërkuesve, me luhatje mujore dhe dallime të qarta mes vendeve pritëse.

Scroll to Top