AKTUALITETneutralePOLITIKË

Rama përgjigjet Kurtit: S’jam në garë, protestë për ish-krerët UÇK

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar zyrtarisht në lidhje me protestën që pritet të mbahet nesër në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në një postim të tyre, ata theksojnë se para se të protestohet, duhet të kërkohet falje për qëndrimet e mëparshme, duke iu referuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Vetëvendosje kujton se Edi Rama kishte shkuar në Kosovë me helikopter për të bindur palët të votonin pro ngritjes së Gjykatës Speciale. Ata shtojnë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme, dhe pretendimi i Prokurorisë për ekzistencën e një grupi kriminal brenda saj është i pasaktë.

Në përgjigje të tyre, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk është në garë me Lëvizjen Vetëvendosje, duke i akuzuar ata se po ngatërrojnë marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë me “çorbën e balotazheve komunale”. Ai mohoi të ketë qenë organizator apo folës në protestën “Drejtësi për Çlirimtarët”, por deklaroi mbështetjen e tij, duke shtuar se do t’i bashkohej si pjesëmarrës i thjeshtë nëse nuk do të ishte i vetëdijshëm se çdo politizim i nismës do ta dëmtonte atë.

Rama theksoi se Gjykata Speciale u ngrit për trafik organesh, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës. Ai gjithashtu kujtoi qëndrimet e Vetëvendosjes para 10 vjetësh, duke theksuar se ata nuk e njihnin as himnin e Kosovës, e aq më pak pafajësinë e Hashim Thaçit.

Në përmbyllje të deklaratës, Rama u bën thirrje institucioneve të Shqipërisë dhe shteteve mike të Kosovës të veprojnë në forume ndërkombëtare për të mbrojtur të vërtetën e luftës së Kosovës dhe për të çuar përpara drejtësinë, duke përfshirë njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve të luftës nga Serbia.