Vdekja e foshnjës në “Koço Gliozheni”: 2 gjinekologë të pandehur
Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuza për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor” ndaj dy gjinekologëve të maternitetit “Koço Gliozheni”, pasi një foshnjë humbi jetën gjatë procesit të lindjes.
Sipas organit të akuzës, mjekja kujdestare gjatë shtatëzanisë dhe mjeku roje, duke vepruar në kundërshtim me detyrimet profesionale, kanë shkaktuar një proces lindjeje të rrezikshëm, që përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një të porsalinduri.
Hetimet kanë nisur pas denoncimit të nënës, me iniciale A.Z., e cila humbi foshnjën e saj. Aktet e ekspertimit mjeko-ligjor konfirmuan se vdekja e foshnjës erdhi si pasojë e dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit.
Ekspertiza sqaron se këto dëmtime, që çuan në shok traumatik hemorragjik, nuk janë pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rezultat i mungesës së ndërhyrjes në kohë. Një seksio sezarian, siç ishte planifikuar paraprakisht, mund të kishte shmangur përdorimin e forcepsit dhe pasojat fatale.