Shqipëria: Veriu më i Varfër në Europë Sipas të Dhënave
Të dhënat e fundit nga INSTAT për vitin 2024 tregojnë se 40.5% e popullsisë së Shqipërisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Ky rrezik përfshin individë me të ardhura nën 60% të mesatares kombëtare, ata që përballen me mungesa materiale ose sociale të rënda (si vështirësi në mbulimin e shpenzimeve bazë), dhe familjet ku të rriturit punojnë shumë pak ose aspak.
Megjithëse ka pasur një ulje të krahasueshme me vitin 2022 (nga 44.5%), Shqipëria vazhdon të ketë niveli më i lartë në Europë, duke qenë dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian prej 21%.
Në nivel rajonal, Veriu i Shqipërisë rezulton të jetë i dyti më i varfër në Europë, me 47.1% të popullsisë në rrezik varfërie dhe përjashtimi social (sipas të dhënave të vitit 2022). Vetëm Guayana Franceze ka një përqindje më të lartë. Qendra e Shqipërisë ka 44.1% dhe Jugu 42.6%.
Krahasimi me vendet e tjera të rajonit tregon se Serbia ka 24.3%, Maqedonia e Veriut 30% (2023) dhe Mali i Zi 34.1% (2022).
Në nivelin e Bashkimit Europian, në vitin 2024, rreth 21% e popullsisë ishte në rrezik varfërie ose përjashtimi social, duke prekur mbi 95 milionë qytetarë. Normat më të larta janë regjistruar në Bullgari, Rumani, Greqi dhe Spanjë (mbi 26-30%), ndërsa vendet me rezultatet më të mira janë Sllovenia, Çekia, Finlanda dhe Holanda (nën 13%).
Të dhënat e Eurostat vënë në pah pabarazitë rajonale, veçanërisht në vendet e Europës Jugore dhe Lindore, ku të ardhurat e ulëta dhe punësimi i pasigurt kontribuojnë në rrezikun social.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eleminimin e Varfërisë, Eurostat nxjerr në pah nevojën për veprime që reduktojnë varfërinë dhe përjashtimin social, një thirrje kjo që duket se mungon në Shqipëri.