ArkivaLajmeneutrale

Vrasja e Sarchit, dyshime për porosi nga mediat italiane

Pas raportimeve të Corriere della Sera, edhe një tjetër media e njohur italiane, La Repubblica, hedh dyshime mbi pistën e hetimeve të autoriteteve shqiptare lidhur me vrasjen e biznesmenit Edoardo Sarchi, 44 vjeç, në fshatin Salari të Tepelenës. Autori i dyshuar i ngjarjes, Kamber Sulçaj, 48 vjeç, është vetëdorëzuar ditën e djeshme.

La Repubblica thekson se vrasja e biznesmenit, pronar i një fabrike tullash në Tiranë dhe baba i dy fëmijëve, “dyshohet se është e porositur”. Media italiane ngre pikëpyetje rreth faktit se si plumbat kanë goditur vetëm Sarchin, ndërkohë që në vendngjarje ishin të pranishëm edhe persona të tjerë. Dinamika e ngjarjes mbetet ende e paqartë sipas tyre.

Kamber Sulçaj, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia që prej 29 shtatorit, akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera rënduese”, “mbajtje dhe prodhim të paligjshëm armësh, eksplozivësh dhe municionesh”, si dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”. Nga hetimet paraprake, rezulton se Sulçaj kishte pasur një grindje me sipërmarrësin dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në mbrëmjen e ngjarjes, Edoardo Sarchi, bashkë me ortakun e tij Eqerem Braçe dhe dy djemtë e këtij të fundit, ishin nisur për gjueti në zonën e Dilanit, në Tepelenë. Sipas hetimeve, pas një debati të ashpër, Sulçaj ka qëlluar me armë zjarri, por vetëm Sarchi ka mbetur i plagosur për vdekje.

Policia ka sekuestruar dy automjete dhe ka marrë në pyetje tre personat që ndodheshin me Sarchin, si dhe një person të katërt, të cilët më pas janë liruar për mungesë provash. Sulçaj ka dorëzuar armën e krimit, një pushkë gjuetie me tytë të gdhendur, si dhe lejen për mbajtjen e saj. Aktualisht, ai po merret në pyetje nga policia, ndërkohë që gjykata kishte urdhëruar masën e arrestit me burg në mungesë.