Ligji i ri për mbetjet miratohet pa sqarim financiar
Kuvendi miratoi të enjten ligjin e ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili u votua vetëm nga mazhoranca, pa debat dhe pa sqarime për kostot financiare të zbatimit të tij.
Ligji parashikon rikthimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM) si shoqëri aksionere për menaxhimin fundor të mbetjeve në rang Republike, ndërsa bashkitë do të jenë klientë të kësaj shoqërie.
Ai rikthehet te hierarkia e menaxhimit të mbetjeve, duke i dhënë përparësi ndarjes në burim, ripërdorimit, riciklimit dhe kompostimit, duke lënë në hije rolin e inceneratorëve, për të cilët qeveria socialiste ka investuar dhjetëra milionë euro.
Ligji nënkupton rritje të tarifave dhe kostove për menaxhimin e mbetjeve bazuar në parimin “ndotësi paguan”, por nuk ofron një faturë transparente financiare për taksapaguesit.
Gjatë diskutimeve, Ministria e Mjedisit nuk arriti të jepte përgjigje për kostot financiare që do të përballojnë bashkitë dhe qytetarët.
Ligji parashikon që Këshilli i Ministrave do të miratojë metodologjinë për llogaritjen e kostove operative dhe të shërbimit, si dhe tarifat e menaxhimit të mbetjeve.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, tha se direktivat e BE-së përcaktojnë objektiva për riciklimin deri në vitin 2035 dhe se vlerësohet një investim rreth 683 milionë euro deri në vitin 2035.
Kostot vjetore për ton mbetje pritet të rriten nga 79 euro/ton në 2025 në 170 euro/ton në 2035.
Ministri bëri me dije se po zhvillohen negociata për shtyrjen e afatit të përmbushjes së këtij investimi përtej 2035.
Ai shtoi se barra kryesore financiare do të mbahet nga qeveria, ndërsa bashkitë do të përballojnë një pjesë të kostove, me kërkesën për fonde nga BE, kredi dhe grante.
Raporti i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat gjithashtu nuk ofron një faturë të qartë financiare.
Sipas raportit, kostot e infrastrukturës dhe operimit mbulohen nga krijuesi ose zotëruesi i mbetjeve, ndërsa nevoja për financime nga buxheti i shtetit do të vlerësohet nga AKEM.
Bashkitë dhe AKEM do të financojnë kostot e investimit për menaxhimin e mbetjeve, ndërsa kostoja për grumbullimin dhe transferimin do të jetë pjesë e buxhetit vjetor të bashkive dhe do të përballohet nga tarifa e pastrimit.
Shoqatat e bashkive dhe kryetarët e tyre shprehën shqetësim për vështirësitë financiare që do t’u ngarkojë ligji dhe kërkuan që kostot të përballohen nga buxheti i shtetit.
Ligji u kontestua nga opozita dhe shoqatat vendore për cënim të autonomisë vendore, ndërsa u kritikua për përafrim të pjesshëm të dispozitave të BE-së.
Ministri sqaroi se përafrimi i plotë do të bëhet me miratimin e 12 projektvendimeve të Këshillit të Ministrave.
Reforma shoqërohet edhe me një nismë ligjore për “Përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit”, e cila është në shqyrtim në Kuvend.