Minatorët e Spaçit protestojnë: Më shumë se 70 të larguar nga puna
Minatorët e Spaçit protestojnë sërish pas njoftimit për largim nga puna.
Edhe sot, pavarësisht motit me shi, minatorët e minierës së bakrit në Spaç janë mbledhur që në orën 6 të mëngjesit në sheshin përpara minierës, ku vazhdojnë protestën e tyre.
Dje, punëdhënësi ka shpërndarë letra për largim të menjëhershëm nga puna në grupet e komunikimit, gjë që ka shtuar më tej pakënaqësinë. Ky veprim ka bërë që sot të solidarizohen me minatorët edhe punëtorë të tjerë shqiptarë, përfshirë edhe pjesë të administratës.
Komisioni i grevës ka publikuar dje një dokument me 10 pika, ku renditen kërkesat që duhet të plotësohen për ndërprerjen e protestës.
Aktualisht janë 78 minatorë të nëntokës që kërkojnë dialog, por sipas tyre, punëdhënësi po vazhdon me forma presioni dhe kërcënimi, madje edhe me përfshirjen e policisë.