Arrestim Kurbin: 62-vjeçar kapet me 7 kg kanabis
62-vjeçar në Kurbin, arrestohet pasi kishte fshehur mbi 7 kg kanabis në banesë
Një 62-vjeçar është arrestuar nga policia e Kurbinit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 62-vjeçarit Begtash Zeneli, u gjetën 7 kilogramë e 350 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila dyshohet se posedohej me qëllim shitjen në doza.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”, operacionin policor të koduar “Streha”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit B. Z., në fshatin Vinjoll. Atje u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 kilogramë e 350 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, për të cilën dyshohet se ky shtetas e posedonte me qëllim shitjen në doza.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, shtetasi B. Z., 62 vjeç, banues në fshatin Vinjoll, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.