“`html
Gjykata Kushtetuese përcakton fillimin e mandateve nga data e përfundimit të detyrës së parardhësve
Pas kërkesës së Presidentit të Republikës për interpretim mbi mbarimin e mandatit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit ka vendosur që mandati i tyre të llogaritet nga data e përfundimit të detyrës së parardhësit. Kjo vendimmarrje sjell si pasojë që, përveç vakancës së Holta Zaçajt, të shpallen të lira edhe pozicionet e anëtareve Sonila Bejtja dhe Elsa Toska këtë vit.
Gjykata Kushtetuese njoftoi të enjten, më 16 tetor, vendimmarrjen e saj lidhur me një çështje të ngritur nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në lidhje me deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarëve kushtetues. Sipas vendimit, anëtarëve aktualë, gjatë periudhës tranzitore, mandati 9-vjeçar do t’u përllogaritet duke filluar nga data e mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ata kanë zëvendësuar. Ky veprim synon të mundësojë përtëritjen e pjesshme të trupës së Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me dispozitat kushtetuese të vitit 2016 dhe Reformën në Drejtësi.
Presidenti Begaj e vuri në lëvizje Gjykatën Kushtetuese pasi duhej të fillonte procedurat për përzgjedhjen e një anëtari të ri, por mungonte shpallja e vakancave nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Më herët, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë kishte marrë iniciativën për të shpallur konkursin për pozicionin e anëtares Holta Zaçaj, e cila mban edhe postin e kryetares, duke nxitur debate publike.
Gjykata Kushtetuese sqaroi se kërkesa e Presidentit të paraqitur në janar, megjithëse në dukje kishte si objekt deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, në thelb kërkonte zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave mbi mbarimin e mandatit. Ky interpretim synon të mundësojë ushtrimin e kompetencës nga Presidenti, si organ emërtues, për emërimin e gjyqtarëve të rinj dhe të ofrojë një interpretim përfundimtar të normave kushtetuese për kohëzgjatjen e mandateve të gjyqtarëve kushtetues.
Në vendimmarrjen e saj, Gjykata vlerëson se për mandatet e gjyqtarëve kushtetues zbatohen dy parime kryesore: përtëritja e pjesshme e gjykatës çdo tre vjet dhe kohëzgjatja e mandatit. Lidhur me interpretimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, Gjykata argumenton se qëllimi i kësaj dispozite ishte rregullimi i regjimit tranzitor për gjyqtarët kushtetues të emëruar pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016.
Neni 179, pika 3, e Kushtetutës, specifikon se gjyqtari që zëvendëson atë me mandat që mbaron në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025, dhe ai që zëvendëson gjyqtarin me mandat që mbaron në vitin 2020, do të qëndrojë deri në vitin 2028. Gjyqtarët e tjerë emërohen për kohëzgjatjen e plotë të mandatit. Gjykata Kushtetuese thekson se qëllimi i kësaj dispozite është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së saj.
Gjykata vlerëson se parimi i përtëritjes së pjesshme mbizotëron mbi parimin e kohëzgjatjes së mandatit, duke theksuar se kohëzgjatja e kufizuar e këtyre mandateve që nga fillimi, vetëm nëpërmjet këtij interpretimi, siguron qëllimin kryesor të dispozitës kalimtare. Ky parashikim shërben gjithashtu për përcaktimin e dy mandateve më të shkurtra se 9 vjet.
Ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese parashikon një skemë kohore të përtëritjes: e para në vitin 2025, e dyta në vitin 2028 dhe e treta në vitin 2031. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, ka vendosur që për anëtarët aktualë të mandatit tranzitor, fillimi i mandatit përkon me datën e deklaruar të mbarimit të mandatit të parardhësit.
Kjo vendimmarrje lidhet edhe me largimin e disa ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese përmes procesit të vetingut, duke bërë që shpallja e vakancës të ndodhë para përfundimit të mandatit. Për të siguruar përtëritjen e rregullt në vitet 2025, 2028 dhe 2031, Gjykata ka vendosur të konsiderojë datën e mbarimit të mandatit të gjyqtarëve të mëparshëm si datë shpalljeje vakance.
Bazuar në këtë vendim, në vitin 2025, përveç përfundimit të mandatit të Holta Zaçajt, do të mbeten vakante edhe pozicionet e anëtareve Sonila Bejtja dhe Elsa Toska. Në vitin 2028, pritet të përfundojë mandati i gjyqtarëve Marsida Xhaferllari, Fjona Papajorgji dhe Sandër Beci, ndërsa në vitin 2031, ai i Ilir Toskës, Genti Ibrahimit dhe Marjana Seminit.
Njëzëri është vendosur gjithashtu që kompetenca për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues i përket Gjykatës Kushtetuese, dhe vetëm pas kësaj organi emërtues ushtron kompetencën e tij. Çështja e kompetencës, e ngritur nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, lidhur me mandatin e Holta Zaçajt, ka rezultuar me vendimin për mbarimin e mandatit të saj më 10 mars 2025, pavarësisht kundërshtimeve ligjore.
Procesi për zëvendësimin e saj nuk është finalizuar për shkak të kundërshtimeve të kandidates Naureda Llagami. Gjithashtu, kërkesa e Presidentit për deklarimin e mbarimit të mandatit të një gjyqtari tjetër do të shqyrtohet veçmas.
“`