Interi refuzon Nejmar: “Është një gënjeshtër”

Fabrizio Romano nxiti thashethemet për Nejmar te Interi, drejtori zikaltër refuzon: “Është një gënjeshtër”

Eksperti i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, raportoi kohët e fundit se Interi dhe Napoli kishin pasur kontakte me përfaqësues të Nejmar për një transferim të brazilianit në Serie A gjatë verës së kaluar. Megjithatë, kjo hipotezë nuk konfirmohet të paktën nga klubi zikaltër.

Përkundrazi, drejtori sportiv Piero Ausilio, e ka cilësuar si të pamundur një gjë të tillë, pas pyetjeve të bëra nga “Corriere Dello Sport” rreth kësaj teme, gjatë një interviste të gjatë.

“Nuk ka asnjë bazë. Është një gënjeshtër. Nuk kam pasur kurrë bisedime, as nuk na është ofruar ndonjëherë… Është një gënjeshtër”, ishte përgjigja e tij, duke i mbyllur kështu që në fillim zërat që mund të kishin lindur pas “ekskluzivës” së Fabrizio Romanos.