Zbardhet dhe goditet grupi i grabitësve shqiptarë në Itali, tre të arrestuar
Një bandë grabitësish me origjinë shqiptare është shkatërruar nga policia italiane në zonën e Forlit. Viktima më e fundit e tyre ka përfunduar e rrahur mizorisht dhe i është marrë me dhunë një orë e markës “Rolex”. Tre persona janë arrestuar si të dyshuar kryesorë, ndërsa personi i dëmtuar ka rrëfyer detaje tronditëse të ngjarjes.
Sipas rrëfimit të tij, i dëmtuari iu pre rruga dhe u sulmua pa mëshirë me grushte dhe shkelma. Prokuroria italiane ka bërë të ditur se dy persona kanë ndërmarrë sulmin fizik në rrugë, ndërsa një i tretë ka mbajtur roje në një cep. Të tre shqiptarët e arrestuar janë të moshave 22, 26 dhe 47 vjeç.
Për dy të rinjtë, të cilët nuk rezultojnë të kenë banesë në Itali, është caktuar masa e arrestit me burg. Ndërkohë, i treti, banor i zonës së Forlit, është lënë nën masën e arrestit shtëpiak.
Ngjarja e grabitjes ka ndodhur në muajin shtator, por procesi i identifikimit dhe arrestimit të tyre është finalizuar së fundmi nga organet ligjzbatuese.
I dëmtuari ka dëshmuar se ngjarja ka ndodhur pasi ai kishte festuar në një klub nate në Meldola dhe po kthehej vetëm drejt automjetit të tij, kur iu bë pritë. Ai gjithashtu ka konfirmuar se autorët, para se të largoheshin, i kanë marrë edhe orën e shtrenjtë.
Fillimisht, ngjarja ishte menduar si një konflikt banal apo hakmarrje, por hetimet e zhvilluara nga policia italiane kanë zbuluar se bëhej fjalë për një akt grabitjeje. Mediat italiane raportojnë se, pas hetimeve të mëtejshme, është zbuluar se grupi kishte si objektiv kryesor vjedhjen me dhunë të sendeve me vlerë dhe orave të shtrenjta në rrugë. Këto të dhëna kanë çuar prokurorinë të kërkojë dhe gjyqtarin të urdhërojë arrestimin e tre personave të identifikuar, duke sjellë edhe marrjen e masës paraprake të arrestit me burg.