Arrestimi i Ulian Barjamit, reagon Dhoma e Avokatisë: Dënojmë me forcë aktin!
Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar në lidhje me arrestimin e avokatit Ulian Barjami.
“Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë dënon me forcë arrestimin e avokatit Ulian Barjami nga Policia e Elbasanit me urdhër të Prokurorisë. Nga sa Dhoma e Avokatisë ka marrë dijeni, rezulton se një përballje ligjore në sallën e gjykimit, sipas ligjit, ka përfunduar me një abuzim të atributeve të prokurorit. Ai nuk ka pranuar debatin gjyqësor, por ka urdhëruar prangosjen e avokatit Ulian Barjami, anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë”, thuhet në reagim.
Qëndrimi i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë
Jemi përballë arrestimit të një avokati për shkak të deklarimeve të tij në kuadër të mbrojtjes në sallën e gjyqit. Deklarata e tij – se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash kundër prokurorit – është trajtuar si kanosje dhe kundërshtim ndaj prokurorit. Ky është një rast i paprecedentë, ku një avokati i hiqet liria për shkak të fjalës së lirë në sallën e gjykimit, ku ai shpreh mendimin për falsitetin e provës dhe përgjegjësinë që, sipas avokatit, duhet të mbajë autori i falsifikimit, që në këtë rast është prokurori.
Dhoma e Avokatisë u bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të veprojnë urgjentisht për këtë rast flagrant arbitrariteti dhe shkeljeje të hapur të ligjit. Kjo, pasi Dhoma, duke u bazuar në kuadrin ligjor dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ende beson se jemi Republika e Shqipërisë – një shtet me drejtësi të bazuar në prova dhe fakte – dhe jo në një “Republikë të Prokurorëve”.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Prof. Dr. Maksim Haxhia.