Tragjedi në Maliq: Nëna dhe djali vdesin nga zjarri në banesë

Tragjedi në Maliq: Nëna dhe djali humbën jetën si pasojë e një sobe

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së dielës në qytetin e Maliqit, ku një banesë u përfshi nga flakët. Brenda saj ndodheshin një nënë dhe tre fëmijët e saj. Të katërt u nxorën nga banesa dhe u transportuan me urgjencë në spital. Fatkeqësisht, 40-vjeçarja Merjeme Azizllari dhe djali i saj 14-vjeçar, Luka Azizllari, nuk i mbijetuan plagëve të shkaktuara nga asfiksia dhe ndërruan jetë. Vajza 6-vjeçare ende lufton për jetën në spital.

Një nga fqinjët e familjes rrëfeu detaje tronditëse mbi ngjarjen. Sipas tij, fëmijët ishin me spektrin e autizmit dhe familja përballej prej kohësh me kushte të vështira ekonomike.

“Fëmijët ishin me autizëm, nëna ishte mirë. Ajo nuk punonte, vetëm i ati punonte në familje. Ishin në kushte të vështira ekonomike. Nuk di se si ka ndodhur ngjarja. Erdha të pyes kur pashë zjarrfikësen,” – tha fqinji.

Një tjetër fqinjë përshkroi momentet tragjike duke dhënë më shumë detaje. Sipas saj, sfungjeri i një dysheku në banesë mori flakë, duke përhapur tym të dendur në të gjithë shtëpinë. Për shkak të mungesës së oksigjenit, nëna dhe djali nuk arritën të dilnin në kohë dhe humbën jetën si pasojë e asfiksisë.

“Familje punëtore, por me ekonomi të dobët. Babai i fëmijëve punonte, ajo mbante dy fëmijët dhe i ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia i ndihmonte çdo muaj, plus që merrnin dhe ushqime e ndihmë ekonomike. Vajza ishte më e vogël se djali. Unë për momentin nuk isha aty, por aty pranë një krevati me sfungjer, fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, ka djegur sfungjerin dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë, kurse djali mbaroi me të ëmën. Doli kjo zonja rastësisht se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës, i binte me shkelma. E dëgjoi fqinja, doli dhe fqinja tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur,” – tha fqinja.

Vajza 6-vjeçare është transportuar drejt Tiranës për trajtim të specializuar mjekësor. Burime nga Spitali Rajonal i Korçës bëjnë me dije se e mitura ndodhet në gjendje kritike për jetën, për shkak të djegieve të shumta në trup. Sipas informacioneve, e mitura është gjetur jashtë banesës, në gjendje të vetëdijshme, por me dëmtime të rënda. Vëllai i saj, 14-vjeçari, u gjet në gjendje kome dhe ndërroi jetë pak orë më vonë në spitalin e Korçës, si pasojë e asfiksisë dhe djegieve.

Shkaqet e zjarrit janë ende nën hetim, por dyshohet se gjithçka ka nisur rreth orës 13:30 nga një sobë me dru që familja përdorte për ngrohje.

Scroll to Top