“`html
Flet avokati i ortakut të Pacollit: E vërteta e përplasjes për aeroportin e Vlorës
Besnik Berisha, avokati i Valon Ademit, administratorit të kompanisë “2A Group” që është bashkëaksionere në aeroportin e Vlorës, duke folur në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka dhënë detaje mbi konfliktin me biznesmenin kosovar, Behgjet Pacolli.
Ai ka shpjeguar se me zotin Pacolli ishte bërë një marrëveshje për të pasur 49 për qind të aksioneve. Sipas avokatit, kulmi i përplasjeve nisi pasi Pacolli mori një hua prej 100 milionë euro, e cila nuk ka përfunduar në Shqipëri.
“Konflikti që ne kemi dhe për të cilin kemi kallëzuar penalisht zotin Pacolli, nuk është personal, por ka të bëjë me subjektin që zotëron 81 për qind të aeroportit të Vlorës, për kontratën që garantoi fillimin e bashkëpunimit. Bashkëpunimi me zotin Pacolli nuk ishte për të fituar një tender. Zoti Pacolli hyri i treti në tender, me 58 për qind, kompania turke dhe Valon Ademi atëherë kishin 2 për qind. Turqit, në mungesë të fondeve, u tërhoqën dhe aksionet e tyre i kaluan kompanisë MABCO Construksion. Të njëjtën ditë u lidh marrëveshja mes z. Pacolli dhe z. Ademi. Dakordësia ishte 50 me 50, por u vendos 49 me 51. Marëveshja u lidh po atë ditë sepse z. Pacolli nuk ishte përgatitur financiarisht për këtë proces. Të gjitha punët në aeroportin e Vlorës janë kryer nga punëtorët, menaxherët dhe inxhinierët e 2A Group. Kur u finalizuan punët, 2A Group kishte kryer veprime që kapnin vlerën e mbi 23 milionë eurove, përfshirë kapitalin e investuar dhe kredinë e marrë në BKT në Shqipëri. Aeroporti ishte ngarkuar si hipotekë në BKT për shumën 56 milionë euro. Banka u informua gojarisht se Pacolli nuk ishte i vetmi aksioner, aq më pak me 98 për qind, por ishin dy aksionerë: 2A Group me 49 për qind dhe Pacolli me 51 për qind. Deri këtu punët ishin në rregull; madje, aeroporti u testua dhe u bë një përurim ku mori pjesë kryeministri. Z. Pacolli erdhi me aeroplanin e tij dhe Valon Ademi, themelues i 2A Group. Partneri ynë u soll sikur të kishte 98 për qind, jo sikur të kishte një partner tjetër me 49 për qind. Marrja e huasë në Luksemburg është kulmi i alarmit jo vetëm për investimin e 2A Group, por edhe për çështjen kombëtare. 2A Group, me kontratën e noterizuar dhe autorizimin që ka dhënë, do të regjistrojë ato aksione në QKB. Shqetësimi u shtua kur u fut një kompani tjetër, offshore, dhe nuk dimë kush qëndron pas saj. Ai ka negociuar pas shpinës së ortakut. Për ekzistencën e kompanisë 2A Group, u alokua një shumë prej 100 milionë euro, 6 milionë prej të cilave u dërguan në shtetin shqiptar, por jo për aeroportin dhe shteti shqiptar nuk ishte në dijeni; këto mjete kanë ardhur në Kosovë. Është hapur një llogari tjetër në Kosovë për MABCO Construksion, një degë e shoqërisë në Zvicër, dhe kjo kompani është bërë fole për shumën 40 milionë euro që ka ardhur në Kosovë. Nuk ka konflikt personal me z. Pacolli; aksionet nuk i merr askush kur janë të paguara dhe të investuara. Kontrolli nuk është më i z. Pacolli, por është pezulluar nga gjykata deri në kalimin e 47 për qind të aksioneve, sepse 2 për qind i kemi. Masa ka për qëllim mbrojtjen e aksioneve dhe të shtetit shqiptar,” – tha Berisha.
“`
