Arrestohet trafikanti shqiptar Altin Sinomati në Abu Dhabi

Urdhëroi atentatin ndaj gazetarit italian, del fotoja e trafikantit shqiptar

Altin Sinomati, një shtetas shqiptar 38-vjeçar, është arrestuar në Abu Dhabi pasi ishte arratisur nga Italia për t’i shpëtuar drejtësisë. Ai konsiderohet si porositësi i vrasjes së Selavdi Shehaj, i njohur me nofkën “Passerotto”, i cili u vra më 20 shtator 2020 në një plazh të mbushur me njerëz në Torvaianica.

Personi që vrau “Passerotto”-n kishte vrarë edhe Fabrizio Piscitellin, i njohur si “Diabolik”, një vit më parë. Plazhi ku ndodhi vrasja ndodhet vetëm 100 metra larg shtëpisë së gazetarit Sigfrido Ranucci, ndaj të cilit ishte planifikuar një atentat më 16 tetor të këtij viti.

Hetimet, të kryera nga karabinierët e njësisë hetimore të Romës, policia dhe SCO e Policisë së Shtetit, kanë nxjerrë një dosje kundër Sinomati. Sinomati kishte dhënë urdhrin për vrasjen e Shehaj, duke i paguar Raul Esteban Calderon-it shumën prej 150,000 eurosh për kryerjen e krimit. Për këtë vrasje, Raul Esteban Calderon u dënua me burgim të përjetshëm si ekzekutues, ndërsa Giuseppe Molisso u dënua për bashkëpunim në krim. Calderon është gjithashtu i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Piscitellit.

Sinomati është i akuzuar edhe në një tjetër proces penal, ku është konsideruar si një nga kanalet kryesore të furnizimit me kokainë të organizatës kriminale që operon në Romë, e drejtuar nga Giuseppe Molisso dhe Leandro Bennato. Kjo organizatë u çmontua në një operacion policor më 18 mars 2025.

Pas këtij operacioni dhe arrestimit të Calderon, Sinomati arriti t’i shpëtonte arrestimit duke u larguar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u kap dhe u arrestua dhjetë ditë më parë.

Një nga pistat e hetimit për atentatin ndaj gazetarit Ranucci lidhet me krimin e organizuar shqiptar në zonë, i cili është në qendër të hetimeve të emisionit “Report”. Ky krim lidhet me botën e tifozëve ultras dhe bossin Michele Senese, i përfshirë në luftërat midis klaneve për kontrollin e trafikut të drogës në Romë dhe në zonën bregdetare.

Ranucci, në një intervistë për gazetën “Repubblica”, kishte kujtuar vrasjen e “Passerotto”-s dhe kishte reflektuar mbi mundësinë e porositësve të atentatit ndaj tij. “Nuk janë shumë njerëz që mund të kryejnë veprime të këtilla”, kishte thënë gazetari, duke theksuar rolin e krimit të organizuar shqiptar në zonë, i lidhur me ish-narkomanin dhe ultrasin Fabrizio Piscitelli, i cili ishte përfshirë në shumë hetime të “Report”.

Scroll to Top