Ofertë e lartë dhe kërkesë e pakët, Euro arrin një minimum të ri historik
Euro ka pësuar një rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun të martën, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 96.6 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Kursi i këmbimit vazhdon të jetë në rënie edhe krahasuar me vitin e kaluar, duke shënuar një ulje prej 2.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Agjentët e këmbimit valutor shprehen se tregu karakterizohet nga një ofertë e lartë e Euros, ndërsa kërkesa për blerje është e dobët.
Kjo situatë ka sjellë rënie të mëtejshme të nivelit të kursit dhe sidomos të çmimit në shitje (ask) të ofruar nga bankat. Burimi i prurjeve valutore është i vështirë të identifikohet në kohë reale. Hipotezat kryesore lidhen me prurjet e mundshme nga turizmi dhe nga investimet në pasuri të paluajtshme. Në treg mbetet i fortë perceptimi për ndikimin e lartë edhe të prurjeve informale të valutës.
Të dhënat e Bilancit të Pagesave treguan se deficiti i llogarisë korrente u rrit për tremujorin e dytë të vitit, me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, për të gjithë gjashtëmujorin e parë të vitit, ai ngeli në rënie, 3.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
As blerjet e vazhdueshme të valutës nga Banka e Shqipërisë nuk kanë mundur të frenojnë rënien e mëtejshme të Euros. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 933 milionë euro, ndërsa sipas deklaratave të Guvernatorit Sejko në Kuvendin e Shqipërisë, për nëntë muajt e parë të këtij viti blerjet kanë arritur në rreth 800 milionë euro. Këto shifra tregojnë qartë për ofertën e lartë të Euros në tregun valutor. Në mungesë të blerjeve nga Banka e Shqipërisë, kursi i këmbimit të monedhës europiane do të ishte në nivele edhe më të ulëta.
Paralelisht, rënia e Euros dhe forcimi i monedhës vendase në vitet e fundit janë ndikuar edhe nga politika fiskale më shtrënguese, me ulje të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Për të tretë vit radhazi, balanca buxhetore po qëndron pozitive në pjesën më të madhe të vitit. Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, në fund të 9-mujorit 2025, suficiti buxhetor kishte vlerën e 47.1 miliardë lekëve. Megjithatë, ky suficit paraqitet në nivele më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie prej 32%.
Zhvlerësimi i Euros bën më të lirë importin e mallrave dhe shërbimeve dhe vlerësohet si një nga faktorët që ka përcaktuar nivelet e ulëta të inflacionit në dy vitet e fundit. Nga ana tjetër, rënia e Euros ndikon negativisht eksportet e mallrave dhe shërbimeve shqiptare dhe ul konkurrueshmërinë e tyre.
